TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Qershor 2026, 16:15

Kontratë luksoze në Turqi për Ernest Muçin, zbulohet paga marramendëse e sulmuesit kuqezi te Trabzonspori

Shkruar nga Pamfleti
Kontratë luksoze në Turqi për Ernest Muçin, zbulohet paga
Ernest Muçi

Ernest Muçi do të vijojë të jetë pjesë e projektit afatgjatë të Trabzonsporit, pasi klubi turk ka vendosur ta shpërblejë për paraqitjet e tij mbresëlënëse gjatë sezonit të fundit.

Sipas të përditshmes sportive turke “Fanatik”, palët kishin arritur më herët një marrëveshje paraprake, e cila tashmë është zyrtarizuar përmes një kontrate të re afatgjatë. Sulmuesi shqiptar do të përfitojë një pagë prej 2.5 milionë eurosh në sezon, pa përfshirë taksat që aplikohen në Turqi.

Marrëveshja e re parashikon një kontratë trevjeçare, me mundësi zgjatjeje edhe për një vit shtesë. Në rast se Trabzonspori aktivizon opsionin e rinovimit, paga e Muçit mund të rritet deri në 2.75 milionë euro në vit.

Besimi i klubit ndaj futbollistit shqiptar është shfaqur edhe më herët në merkato. Trabzonspori investoi 9.5 milionë euro për transferimin e tij, një shifër që u konsiderua rekord historik për klubin turk.

Pas transferimit, Muçi arriti të imponojë vlerat e tij në futbollin turk. Edhe pse fillimi i sezonit nuk ishte në nivelet e pritura, ai reagoi me paraqitje të shkëlqyera, duke e mbyllur sezonin me 15 gola dhe 9 asistime në të gjitha kompeticionet, statistika që përfaqësojnë sezonin më të mirë të karrierës së tij.

Në Superligën turke, sulmuesi realizoi 11 gola dhe dha 4 asistime, ndërsa në Kupën e Turqisë kontribuoi me 4 gola dhe 5 asistime. Kontributi i tij rezultoi vendimtar edhe në rrugëtimin e skuadrës drejt fitimit të trofeut.

Me formën që ka treguar dhe besimin që po merr nga klubi, Ernest Muçi konsiderohet një nga shtyllat kryesore të projektit të Trabzonsporit, ndërsa pritshmëritë për sezonin e ardhshëm mbeten të larta.

ernest muçi sulmuesi shqiptar trabzonspor

Lini një Përgjigje