Një fenomen i ri social po tërheq mijëra pjesëmarrës në Francë dhe po kthehet në objekt debati politik. Të njohura si banquets géants (bankete gjigante), këto darka masive mbledhin mijëra njerëz rreth tavolinave të gjata, ku shërbehen gatime tradicionale franceze, verë pa kufi dhe këngë popullore.
Fundjavën e kaluar, një prej këtyre aktiviteteve u zhvillua në Colmar, qytetin historik të Alsasës, ku rreth 3.500 persona morën pjesë në një mbrëmje festive të organizuar nga kompania Le Canon Français.
Për 81 euro, pjesëmarrësit përfitojnë një menu me katër pjata, verë pa limit dhe disa orë argëtim kolektiv. Organizatorët thonë se synimi është rikthimi i traditës franceze të ngrënies dhe festimit në komunitet.

Megjithatë, partia e majtë radikale La France Insoumise (LFI) ka ngritur akuza të forta ndaj organizatorëve. Sipas saj, në disa prej këtyre aktiviteteve janë regjistruar thirrje raciste dhe fyerje ndaj punonjësve me origjinë emigrante.
Përfaqësues të LFI-së argumentojnë gjithashtu se përdorimi i shpeshtë i mishit të derrit në menu krijon një atmosferë që përjashton myslimanët dhe vegjetarianët.
Debati është përqendruar edhe te Pierre-Edouard Stérin, një miliarder konservator francez dhe investitor në kompaninë organizatore. Stérin njihet për mbështetjen e ideve të djathta mbi emigracionin, identitetin kombëtar dhe trashëgiminë e krishterë të Francës.
Emma Fourreau, eurodeputete e LFI-së, deklaroi se pranimi i investimit të Stérin tregon afërsi ideologjike mes organizatorëve dhe qarqeve të së djathtës.

Nga ana tjetër, organizatorët i hedhin poshtë kategorikisht akuzat. Bashkëthemeluesi i Le Canon Français, Pierre-Alexandre de Boisse, thotë se aktivitetet synojnë vetëm të rikthejnë një traditë të vjetër franceze dhe të krijojnë hapësira sociale në një kohë kur njerëzit kalojnë gjithnjë e më shumë kohë të izoluar.
“Na pëlqen të shohim një avokat dhe një bukëpjekës të ulur pranë njëri-tjetrit duke biseduar. Kjo është fryma e këtyre banketeve”, tha ai.
De Boisse mohon se organizata promovon ndonjë axhendë politike apo diskriminuese dhe thekson se pjesëmarrësit detyrohen të pranojnë një kod sjelljeje që ndalon çdo formë fyerjeje apo diskriminimi.
Ndërsa polemikat vazhdojnë, popullariteti i banketeve duket se po rritet. Për shumë pjesëmarrës, ato përfaqësojnë thjesht një mundësi për të festuar me miqtë, për të shijuar ushqimin tradicional dhe për të kaluar kohë larg rrjeteve sociale dhe tensioneve politike.
Lini një Përgjigje