TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Qershor 2026, 15:54

Sot miqësorja me Luksemburgun, Policia publikon planin e masave; rrugët që do të bllokohen

Shkruar nga Pamfleti
Sot miqësorja me Luksemburgun, Policia publikon planin e masave;
Policia, stadiumi "Air Albania"

Sot në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, do të zhvillohet ndeshja miqësore e futbollit mes përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Luksemburgut. Në kuadër të këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të takimit.

Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 17:00 e deri në përfundim të ndeshjes, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës do të aplikohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit.

Rrugët që do të bllokohen:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hotel “Rogner” drejt sheshit “Nënë Tereza”;

Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje të saj;

Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si korridor hyrës për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;

Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

Zona e sheshit “Willson”, ku qarkullimi do të devijohet drejt rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes.

Policia bën me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të hapura për qarkullimin e automjeteve.

Në zbatim të planit të sigurisë, efektivët e Policisë së Shtetit do të kryejnë kontrolle të detajuara ndaj tifozëve para hyrjes në stadium. Kontrollet synojnë parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara, si banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues telefonash, produkte kozmetike dhe objekte të tjera që mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve.

Hyrja e tifozëve në stadium do të nisë në orën 18:00. Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të konsiderueshëm punonjësish policie për garantimin e rendit dhe sigurisë.

plani i masave të policisë miqësorja-shqipëri-luksemburg

Lini një Përgjigje