Inteligjenca ushtarake amerikane ka paralajmëruar për përpjekje të mundshme të Izraelit për të mbledhur informacione mbi zyrtarët amerikanë të përfshirë në politikën ndaj Iranit.
Një raport i brendshëm i inteligjencës ushtarake amerikane ka ngritur shqetësime për aktivitetet e mundshme të spiunazhit izraelit në Shtetet e Bashkuara, në një periudhë kur Uashingtoni dhe Tel Avivi shfaqin qasje të ndryshme ndaj menaxhimit të krizës me Iranin.
Sipas NBC News, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) ka vlerësuar se rreziku nga operacionet e inteligjencës izraelite është i lartë. Raporti, i përbërë nga shtatë faqe, pretendon se shërbimet izraelite mund të jenë duke kërkuar informacione përmes burimeve njerëzore dhe mjeteve teknologjike, me fokus te zyrtarët amerikanë që merren me çështjen iraniane.
Sipas raportimeve, Izraeli synon të kuptojë qëndrimet dhe planet e administratës amerikane, në një kohë kur ekzistojnë dallime mes dy aleatëve për mënyrën se si duhet trajtuar Irani.
Administrata amerikane favorizon një zgjidhje të negociuar, duke ruajtur njëkohësisht presionin ndaj Teheranit. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shihet si mbështetës i një linje më të ashpër dhe druhet se një marrëveshje e mundshme mes SHBA-së dhe Iranit mund të përkthehet në një fitore politike për Republikën Islamike.
Sipas NBC News dhe New York Times, interesi i inteligjencës izraelite mund të jetë përqendruar te figura kyçe të administratës amerikane, përfshirë të dërguarin special Steve Witkoff dhe zyrtarë të lartë të Pentagonit.
Raportimet janë shoqëruar edhe me mohime, por publikimi i tyre konsiderohet nga analistët si sinjal i tensioneve që vazhdojnë të ekzistojnë në prapaskenë mes dy partnerëve strategjikë.
Çështja rikthen në vëmendje një histori të gjatë dyshimesh për operacione spiunazhi mes vendeve aleate. Një nga rastet më të njohura mbetet ai i Jonathan Pollard, analist i inteligjencës amerikane që në vitet 1980 u dënua për dorëzimin e sekreteve shtetërore Izraelit.
Në vitin 2015, gjatë administratës Obama, Izraeli u akuzua se kërkonte informacion mbi negociatat për programin bërthamor iranian. Katër vjet më vonë, media amerikane raportoi për zbulimin e pajisjeve të avancuara të përgjimit pranë institucioneve qeveritare në Uashington, të cilat dyshohej se lidhen me operacione izraelite.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se në botën e inteligjencës aleancat politike nuk përjashtojnë aktivitetet e mbledhjes së informacionit. Për këtë arsye, marrëdhëniet mes shërbimeve sekrete të vendeve partnere shpesh karakterizohen nga bashkëpunimi, por edhe nga mosbesimi i ndërsjellë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje