TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Qershor 2026, 20:23

"Zgjuam SPAK dhe drejtësinë”, protestuesi mesazh Ramës: 200 mijë vetë i ke në shesh!

Shkruar nga Pamfleti
"Zgjuam SPAK dhe drejtësinë”, protestuesi mesazh
Protesta

Protesta e 15-të radhazi para Kryeministrisë është shoqëruar me deklarata të forta nga pjesëmarrësit, të cilët kanë vijuar thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisjen e vendit.

Një prej protestuesve, duke folur para turmës, deklaroi se mobilizimi i qytetarëve gjatë dy javëve të fundit ka sjellë një reagim më të madh institucional dhe ka rikthyer në vëmendje kërkesat e qytetarëve.

“E bëmë këtë qeveri të flasë me vete e t’i dalë nami në botën mbarë. Sot është dita e 15-të ku shqiptarët janë bërë bashkë kundër të keqes. Bashkimi ynë bëri që SPAK dhe drejtësia të zgjohen”, u shpreh ai.

Protestuesi theksoi se pjesëmarrja në tubime është rritur ndjeshëm krahasuar me ditët e para të protestës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të mbështetjes në rritje për lëvizjen qytetare.

“U mblodhën shqiptarët pas 35 vitesh të tregojnë që janë mbesa e nipa të Skënderbeut. Nisëm me 2 mijë, dje ishim 200 mijë në shesh”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, protestuesi i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar deklaratave të fundit të kreut të qeverisë dhe debatit mbi pjesëmarrjen në protesta.

“Meqë ke nisur monologun, kryeministër, kam një mesazh: Turistët i ke midis nesh, ty të kanë ikur patronazhistët”, tha ai mes brohoritjeve të protestuesve.

protesta spak

Lini një Përgjigje