Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të mërkure në aksin nacional Levan-Tepelenë, në zonën e njohur si Varibop, në Fier.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Volkswagen” ka dalë nga kontrolli gjatë lëvizjes dhe ka përfunduar në një kanal anësor të rrugës. Për pasojë, drejtuesi i mjetit, shtetasi K.M., ka mbetur i lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes, i plagosuri është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore. Burime paraprake bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat që çuan në daljen e automjetit nga rruga.
Kujtojmë se ky nuk është aksidenti i vetëm i ndodhur së fundmi në aksin Levan-Tepelenë. Vetëm një ditë më parë, në të njëjtën rrugë u përfshinë në një përplasje pesë automjete, duke lënë të plagosur tre persona. Ngjarja shkaktoi trafik dhe angazhoi për disa orë shërbimet e emergjencës dhe policisë rrugore.
Lini një Përgjigje