Policia e Sarandës ka arrestuar një 21-vjeçar pasi dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë i kanë vendosur tritol një makine me qëllim për të vrarë drejtuesin.
Në pranga ra shtetasi Ignasjo Kaso, 21 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, ndaj të cilit Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka lëshuar urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve, 21-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit G. T. dhe Xh. B., të cilët janë shpallur në kërkim më herët për të njëjtën ngjarje. Dyshohet se më 5 shkurt 2026 ata vendosën një sasi eksplozivi në automjetin që drejtonte shtetasi M. Gj., në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”.
Gjatë operacionit për kapjen e të riut, efektivët ushtruan kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila mbahej pa leje.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa po vazhdojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim.
"Vijojnë veprimet e thelluara hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në tentativën për vrasje të një shtetasi duke i vendosur lëndë plasëse në automjetin që drejtonte, më datë 05.02.2026.
Si rezultat i hetimeve, u identifikua, u kap dhe u ndalua një 21-vjeçar i dyshuar si bashkëpunëtor i dy autorëve të dyshuar, të shpallur në kërkim më parë për këtë ngjarje.
Gjatë operacionit për kapjen e 21-vjeçarit, Policia gjeti në banesën e tij dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe intensive, të kryera për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në ngjarjen e mëngjesit të datës 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “Identifikimi”.
Gjatë operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi I. K., 21 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka nxjerrë urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
21-vjeçari akuzohet si bashkëpunëtor i shtetasve në kërkim G. T. dhe Xh. B., të cilët më datë 05.02.2026 kanë vendosur eksploziv në automjetin që drejtonte shtetasi M. Gj.
Më tej, gjatë operacionit u krye kontroll në banesën e të ndaluarit, ku u gjet një armë zjarri (pistoletë) me municion, e cila posedohej pa leje. Vijojnë kontrollet për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e dy shtetasve në kërkim.", njofton policia.
Lini një Përgjigje