Federata e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n, ka përmbyllur me sukses edicionin e 23-të të kursit për licencën e trajnerit UEFA A, një nga programet më të rëndësishme të formimit profesional për trajnerët e futbollit.
Programi nisi në muajin janar dhe u zhvillua përgjatë gjashtë muajve, duke kombinuar njohuritë teorike me praktikën në fushë. Kursi synoi përgatitjen e trajnerëve për të ushtruar profesionin në nivelet më të larta të futbollit.
Në ceremoninë përmbyllëse u shpërndanë licencat për 25 trajnerë të rinj, mes të cilëve edhe dy trajnere vajza. Të diplomuarit tashmë plotësojnë kriteret për të drejtuar ekipe në kategori të ndryshme të futbollit profesionist.
Të pranishëm në ceremoni ishin Drejtori Teknik i FSHF-së, Abdyl Kuriu, anëtari i Komisionit të Ekipeve Kombëtare, Afrim Tola, si dhe Drejtori i Edukimit, Ardi Behari, së bashku me profesorët dhe stafin pedagogjik të sektorit të edukimit.
Edicioni i këtij viti mblodhi një grup të gjerë profesionistësh të futbollit shqiptar. Mes pjesëmarrësve ishin edhe ish-futbollistë të Kombëtares si Taulant Xhaka, Klaus dhe Jurgen Gjasula, si dhe emra të njohur të kampionatit shqiptar, përfshirë Olsi Teqjën, Oerd Kotjën, Rejnaldo Troplinin dhe Rigers Dushkun.
Licenca UEFA A konsiderohet një nga kualifikimet më të rëndësishme në sistemin e edukimit të trajnerëve të UEFA-s. Ajo është e domosdoshme për trajnerët e ekipeve të para në kategori të caktuara, si dhe për drejtuesit teknikë të skuadrave U-21, U-19 dhe grupmoshave të tjera në futbollin profesionist.
Kjo licencë përbën gjithashtu një hap të rëndësishëm drejt niveleve më të larta të kualifikimit në karrierën e trajnerit, duke u ofruar profesionistëve mundësi të reja zhvillimi dhe avancimi në futboll.
Lini një Përgjigje