Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kundërshtuar propozimin e Komisionit Europian për buxhetin e Bashkimit Europian për periudhën 2028-2034, duke e cilësuar atë si të papërballueshëm dhe të vështirë për t’u zbatuar në formën aktuale.
Komisioni Europian ka propozuar një paketë financiare me vlerë mbi 1.6 trilionë euro për shtatë vitet e ardhshme. Plani synon të financojë politikat tradicionale të BE-së, si bujqësia dhe zhvillimi rajonal, por gjithashtu parashikon investime më të mëdha në konkurrueshmërinë ekonomike, mbrojtjen, sigurinë dhe politikën e jashtme.
Megjithatë, kancelari gjerman vlerëson se niveli i shpenzimeve të propozuara tejkalon kapacitetet financiare të vendeve anëtare.
“Ajo çfarë është propozuar deri tani nuk është e realizueshme. Nuk mund të përballohet. Megjithatë, negociatat për buxhetin duhet të ecin më shpejt. Dua që të arrijmë një vendim brenda këtij viti”, deklaroi Merz.
Qëndrimi i Berlinit përbën një sfidë serioze për Komisionin Europian, pasi Gjermania është kontribuuesja më e madhe neto në buxhetin e Bashkimit Europian. Çdo kundërshtim nga Berlini ka peshë të konsiderueshme në negociatat për kuadrin financiar shumëvjeçar të BE-së.
Kundërshtimet e Gjermanisë janë mbështetur edhe nga Holanda, një tjetër vend që kontribuon më shumë në buxhetin europian sesa përfiton prej tij. Të dy vendet kërkojnë një qasje më të kujdesshme ndaj shpenzimeve dhe një balancë më të madhe mes prioriteteve të reja strategjike dhe disiplinës fiskale.
Debati mbi buxhetin e ri pritet të jetë një nga çështjet më të vështira politike në Bashkimin Europian gjatë muajve të ardhshëm. Vendet anëtare kanë pikëpamje të ndryshme mbi mënyrën se si duhet të shpërndahen fondet, veçanërisht në një periudhë kur BE-ja përballet me sfida të shumta, nga konkurrenca globale dhe tranzicioni energjetik deri te siguria dhe mbrojtja.
Disa shtete anëtare kërkojnë rritje të investimeve në mbrojtje dhe teknologji, ndërsa të tjera insistojnë në ruajtjen e fondeve tradicionale për bujqësinë dhe kohezionin rajonal.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, disa qeveri europiane shpresojnë që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit. Irlanda, e cila do të marrë presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Europian, pritet të luajë një rol kyç në përgatitjen e një kompromisi të ri mes vendeve anëtare.
Lini një Përgjigje