Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar sot në aksin rrugor Laç-Patok.
Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një 37-vjeçari në aksin Laç–Patok, ndërsa në pranga ka përfunduar drejtuesja e automjetit të përfshirë në ngjarje.
Sipas njoftimit të policisë, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasen A. S., 33 vjeçe, banuese në fshatin Gurëz të Fushë-Kuqes, e dyshuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:00, në segmentin rrugor Laç–Patok, ku automjeti i drejtuar nga 33-vjeçarja u përplas me një ciklomotor që drejtohej nga shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe të Kurbinit.
Si pasojë e goditjes, drejtuesi i ciklomotorit mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 37-vjeçari nuk mundi të mbijetojë për shkak të plagëve të marra dhe ndërroi jetë disa orë më vonë, rreth orës 18:40.
Ndërkohë, policia ka referuar materialet procedurale në Prokurori, e cila do të vijojë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
"Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasen A. S., 33 vjeçe, banuese në fshatin Gurëz, Fushë-Kuqe, Kurbin, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi.
Rreth orës 13:00, të datës 02.06.2026, në aksin rrugor Laç–Patok, automjeti që drejtonte 33-vjeçarja është përplasur me një ciklomotor, me drejtues shtetasin L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi L. T. u dëmtua rëndë dhe u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë, ku, rreth orës 18:40, ka humbur jetën", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje