Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Bolonjë pasi grabiti një lokal dhe më pas u përfshi në një ndjekje të rrezikshme me forcat e rendit, e cila përfundoi me përplasje automjetesh, dy policë të plagosur dhe kapjen e tij.
Sipas autoriteteve italiane, i riu hyri në orët e para të mëngjesit në një lokal në rrugën Bentini me fytyrën e mbuluar, mori paratë e arkës dhe më pas hapi me një mjet prerës makinat e bixhozit për të marrë paratë që ndodheshin brenda tyre.
Lëvizjet e tij u monitoruan në kohë reale nga kamerat e sigurisë, ndërsa një operator i kompanisë së ruajtjes njoftoi menjëherë policinë. Hetuesit dyshojnë se shqiptari nuk veproi i vetëm, pasi një bashkëpunëtor arriti të largohej para mbërritjes së patrullave dhe vijon të jetë në kërkim.
Pas grabitjes, 28-vjeçari u largua me një furgon të vjedhur, por policia arriti ta lokalizonte falë sinjalit GPS të sendeve të marra gjatë vjedhjes. Në rrugën Stendhal ai refuzoi urdhrin për ndalim, rriti shpejtësinë dhe kreu manovra të rrezikshme, duke hyrë edhe në kahun e kundërt të qarkullimit.
Gjatë arratisjes përplasi një automjet policie, i cili doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë. Dy efektivët që ndodheshin në mjet pësuan lëndime të lehta.
Pak më vonë edhe furgoni i drejtuar nga shqiptari doli nga rruga dhe u përplas me murin e një kompanie private. Edhe pas aksidentit ai tentoi të largohej në këmbë, por u arrestua pas disa minutash kërkime.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti pajisjen e përdorur për hapjen e makinave të bixhozit, mjete të tjera për thyerje, arkën e lokalit me 75 euro brenda dhe një aparat për ndërrimin e monedhave.
Autoritetet italiane bëjnë të ditur se 28-vjeçari ka precedentë penalë për vepra kundër pasurisë. Ai akuzohet për vjedhje të rënduar, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe dëmtim prone, ndërsa ndodhet në burg në pritje të vendimit të gjykatës.
Lini një Përgjigje