Një i dënuar shqiptar ka arritur të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalos në Greqi, duke vënë në lëvizje forcat policore për kapjen e tij.
Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për Edmond Tafën, 48 vjeç, i cili po vuante dënimin për trafik droge. Arratisja ka ndodhur në një moment kur personeli i burgut po kryente procedurat e zakonshme për nxjerrjen e mbeturinave jashtë institucionit.
Shqiptari dyshohet se ka shfrytëzuar hapjen e portës së sigurisë dhe është larguar me shpejtësi nga ambientet e burgut, duke humbur gjurmët para se të ndërhynin efektivët.
Autoritetet greke kanë ngritur postblloqe dhe po zhvillojnë kontrolle në zonë, por deri tani nuk është bërë e mundur lokalizimi i tij.
Mendohet se ai ka studiuar për shumë kohë procedurat e sigurisë së burgut, lëvizjet dhe hapje-mbylljet e dyerve në mënyrë automatike.
Autoritetet kanë nisur hetimet për ta gjetur dhe arrestuar Tafën, ndërkohë që po shqyrtojnë njëkohësisht rrethanat në të cilat u bë e mundur arratisja, si dhe çdo përgjegjësi në funksionimin e masave të sigurisë në burg.
Kjo, pasi ka dyshime se ai edhe mund të jetë ndihmuar nga brenda burgut prej gardianëve, duke i krijuar lehtësira në arratisje.
Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat lidhur me mënyrën e arratisjes. Ende nuk është përcaktuar nëse bëhet fjalë për një plan të organizuar më herët apo për një veprim të improvizuar të të dënuarit. Hetimet për ngjarjen vijojnë.
Lini një Përgjigje