Këtë të premte ka nisur seanca e radhës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Meta ndodhet në sallën e gjyqit teksa ka biseduar me avokatin e tij, Kujtim Cakrani, ndërsaKryemadhi qëndron indiferente e ulur në vendin e saj.

Ish presidenti ka kërkuar që seanca të transmetohet live, ndërkohë që pritet që gjykata të argumentojë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën.
Gjyqtari i çështjes Erion Bani tha se mediat do të lejohet të filmojnë vetëm kur të merret vendimi.
Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur nga GJKKO për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kryemadhi dhe Meta i kundërshtojnë akuzat e SPAK si të pabazuara dhe politike, ndërsa ish-presidenti e ka cilësuar mbajtjen e tij në paraburgim si “pengmarrje”.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Metën për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane.
Sipas SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi deputeten Kryemadhi. Nën hetim për këto çështje janë edhe ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho, dhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së.
Lini një Përgjigje