Gjykata e Posaçme ka zhvilluar seancën e parë në themel për procesin e veçuar gjyqësor ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Dosja u rishortua pas vendimit të trupës së mëparshme gjykuese për të pranuar kërkesën e tre të bashkëpandehurve për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Në nisje të seancës, trupa e re gjykuese i kërkoi Metës të konfirmonte të dhënat e tij personale. Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi vendbanimin dhe statusin civil, ai deklaroi: “Për momentin banoj tek 313-ta dhe jam beqar, i divorcuar”.
Ndërkohë, gjykata rrëzoi kërkesën e mediave për transmetimin televiziv të procesit.
Pas këtij vendimi, Meta kërkoi rishqyrtimin e qëndrimit të gjykatës, duke argumentuar se publiku duhet të ketë mundësi të ndjekë drejtpërdrejt procesin.
“Unë kërkoj ta rishikoni vendimin tuaj për të mos lejuar transmetimin live të procesit. Raporti i OSBE/ODIHR dëshmon se 90% e mediave kontrollohen nga qeveria. Nuk shoh asnjë arsye që ky proces të mos jepet live. Ju me të drejtë thoni, që gazetarët mund të raportojnë, por referuar raportit, media kontrollohet nga qeveria, që do ta deformojë procesin. E them këtë edhe për shkak të funksioneve që kam pasur dhe detyrimit që kam ndaj qytetarëve, të dinë ç'ndodh në gjyqin tim”, tha Meta.
Lini një Përgjigje