TAGS-AT E JAVËS

Forum 5 Qershor 2026, 09:25

Pozita e mjerë e Partisë së Sali Berishës

Shkruar nga Thoma Gëllçi
Pozita e mjerë e Partisë së Sali Berishës
Berisha

Partia e "ripërtëritjes" u kthye me shpejtësi në partinë e "përpëlitjes". Ose, më saktë, të "ripërpëlitjes", sepse përpëlitja është bërë prej kohësh forma kryesore e veprimit politik të saj. Çdo zhvillim i ri nuk trajtohet si mundësi për të ndërtuar një alternativë politike, por si një rast tjetër për të mbijetuar politikisht.

Kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, doli para mediave për të komentuar protestat kundër projektit të Zvërnecit, shumë qytetarë prisnin të dëgjonin atë që zakonisht pritet nga një opozitë: pyetje për ligjshmërinë e procedurave, për mungesën e konkurrencës, për ndikimin mjedisor të projektit apo për mungesën e transparencës së qeverisë.

Në fund të fundit, këto janë edhe arsyet që kanë nxjerrë në rrugët e Tiranës mijëra protestues gjatë ditëve të fundit.

Por Flamur Noka zgjodhi një tjetër rrugë. Duke ndjekur vijën politike të Sali Berishës, ai deklaroi se organizatorët e protestës janë "mercenarë të Sorosit" dhe se shqetësimi i tyre nuk lidhet as me lagunën e Nartës, as me flamingot, as me pasuritë publike. Sipas tij, problemi i vërtetë qenka investimi i Jared Kushnerit dhe lidhjet e këtij të fundit me familjen Trump.

Deklarata ishte interesante jo aq për atë që tha, sesa për atë që la pa thënë.

Asnjë fjalë për mënyrën se si po jepen pronat publike. Asnjë koment për ekspertët e mjedisit që kanë ngritur shqetësime serioze. Asnjë përgjigje për pyetjet që po bëjnë qytetarët, organizatat civile dhe specialistët e fushës. Në vend të kësaj, debati u transferua menjëherë nga Zvërneci në Uashington, nga laguna e Nartës në konfliktin e përhershëm mes Donald Trumpit dhe George Sorosit.

Dhe pikërisht këtu fillon të shfaqet drama e vërtetë e Partisë së Sali Berishës.

Vetëm pak ditë më parë ajo zhvilloi atë që e quajti "Kongresi i Ripërtëritjes". Emërtimi ishte ambicioz dhe synonte të krijonte përshtypjen e një force politike që po hynte në një fazë të re. Por mjaftoi protesta e parë e madhe qytetare që fasada të fillonte të plasaritej.

Partia e "ripërtëritjes" u kthye me shpejtësi në partinë e "përpëlitjes". Ose, më saktë, të "ripërpëlitjes", sepse përpëlitja është bërë prej kohësh forma kryesore e veprimit politik të saj. Çdo zhvillim i ri nuk trajtohet si mundësi për të ndërtuar një alternativë politike, por si një rast tjetër për të mbijetuar politikisht.

Në protestat e Zvërnecit dallimet mes qeverisë dhe opozitës u bënë më të paqarta se kurrë. Qeveria mbron projektin sepse është projekti i saj. Kjo është normale. Më pak normale është që opozita të harxhojë energji duke sulmuar protestuesit në vend që të kërkojë llogari nga qeveria.

Për ta kuptuar këtë sjellje duhet parë elefanti në mes të dhomës: problemi i "non gratës".

Shpallja e Sali Berishës "non grata" nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor ka ndikuar në jetën e Partisë Demokratike shumë më tepër sesa pranojnë drejtuesit e saj. Në fakt, prej vitesh duket sikur çdo ngjarje politike, pavarësisht temës, përfundon duke u lexuar përmes këtij filtri.

Kështu, një debat për ligjet shqiptare shndërrohet në debat për politikën amerikane. Një protestë për pasuritë publike paraqitet si pjesë e luftës kundër Sorosit. Një kërkesë për transparencë interpretohet si sulm ndaj Trumpit.

Në këtë logjikë absurde, programi politik i partisë duket se është reduktuar në mbrojtjen e Donald Trumpit nga George Sorosi. Vështirë të imagjinohet një transformim më i çuditshëm për një forcë politike që pretendon se përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë.

Në selinë e SHQUP-it, politika shqiptare duket se është shpallur degë periferike e betejave ideologjike amerikane. Shqipëria zhduket nga tabloja, ndërsa Uashingtoni bëhet qendra e universit politik.

Prandaj debati largohet vazhdimisht nga çështjet reale. Në vend që të diskutohet nëse janë respektuar ligjet shqiptare, diskutohet çfarë mendon Trumpi. Në vend që të kërkohen dokumentet e projektit, kërkohen komplotistët. Në vend që të analizohen procedurat, shpiken armiq të rinj.

Edi Rama dhe Sali Berisha duken sikur kanë hyrë në një garë të heshtur për t'i dëshmuar Donald Trumpit se kush është më besnik ndaj tij dhe familjes së tij.

Njëri e paraqet investimin si sukses historik. Tjetri sulmon këdo që kërkon transparencë për të. Njëri flet për zhvillim strategjik. Tjetri për mercenarë të Sorosit. Por në fund të ditës, të dy përfundojnë në të njëjtën pikë: mbrojtjen e të njëjtit projekt.

Problemi është se kjo garë mbështetet mbi një llogari afatshkurtër.

Donald Trump është sot President i Shteteve të Bashkuara, por jo përgjithmonë. Pas dy vitesh ai nuk do të jetë më në Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk është çështje bindjesh politike, por kufizim kushtetues.

Ndërkohë Shqipëria do të vazhdojë të ekzistojë edhe pas Trumpit, edhe pas Ramës, edhe pas Berishës.

Laguna do të mbetet aty. Tokat publike do të mbeten aty. Pasojat e vendimeve të sotme do të mbeten aty për dekada.

Pikërisht për këtë arsye qytetarët kërkojnë transparencë. Dhe pikërisht për këtë arsye opozita ka detyrimin të jetë në krah të kësaj kërkese.

Kur një opozitë heq dorë nga ky rol dhe nis të kërkojë armiq imagjinarë në vend të përgjegjësive konkrete, ajo humbet arsyen e ekzistencës së saj.

Dhe kur një parti që sapo ka shpallur "ripërtëritjen" e vet reagon në këtë mënyrë ndaj protestës së parë të madhe qytetare, atëherë bëhet e qartë se problemi nuk është mungesa e sloganit të duhur. Problemi është mungesa e një drejtimi politik.

Ngjarjet e Zvërnecit e kanë bërë këtë më të dukshme se kurrë.

Ato treguan se pas retorikës së ripërtëritjes vazhdon të fshihet e njëjta përpëlitje e vjetër.

Lini një Përgjigje