Pakti i ri Evropian për Azilin përfaqëson një mundësi të rëndësishme për rikthimin e besimit të qytetarëve në politikën e migracionit dhe forcimin e zbatimit të rregullave në Bashkimin Evropian...
Shqipëria është një nga vendet ku mund të strehohen me mijëra azilkërkues të refuzuar nga shtetet anëtare të BE-së. Kjo parashikohet në paktin e ri Europian për Azilin, ndërsa nuk dihet nëse Kryeministri Edi Rama do t’i qëndrojë ose jo deklaratave të mëparshme se nuk do të pranojë asnjë pakt të ngjashëm me atë të Italisë, për strehimin e azilkërkuesve që i refuzohet kërkesa.
BE ka miratuar modelin e strehimit të azilkërkuesve në vende të treta, ndërsa si shtysë u përdor edhe marrëveshja mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit, mbi bazën e së cilës u ngritën edhe qendrat e strehimit në Gjadër.
Në një koment të gazetës zvicerane NZZ jepen detaje mbi atë se çfarë mund të ndodhë në të paktën tre shtete: Shqipërinë, Ugandën dhe Tunizinë.
Sipas medias zvicerane, ministrat e Brendshëm të BE-së pritet të miratojnë një rregullore të re për kthimet, e cila do të plotësojë paktin e azilit. Ajo parashikon mundësinë e transferimit të azilkërkuesve të refuzuar në qendra kthimi të ngritura në vende të treta, si Shqipëria, Uganda ose Tunizia, nëse arrihen marrëveshje me këto shtete.
Artikulli nis me përpjekjet që Qeveria gjermane po bën për të korrigjuar pasojat e politikës së migracionit të vitit 2015, kur kancelarja e atëhershme Angela Merkel ndoqi një kurs të kufijve të hapur që, sipas kritikëve, dobësoi kohezionin evropian dhe kontribuoi në forcimin politik të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Koalicioni aktual i përbërë nga CDU, CSU dhe SPD synon të rikthejë besimin e votuesve përmes zbatimit të Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (GEAS), i cili hyn në fuqi në të gjithë Bashkimin Evropian më 12 qershor. Sipas artikullit të publikuar në NZZ, ky pakt mund të jetë një nga mundësitë e fundit për partitë tradicionale që të rikthejnë besueshmërinë në politikën e migracionit.
Gazeta vëren se një nga problemet kryesore mbetet zbatimi i dobët i rregullave ekzistuese. Në fund të vitit të kaluar, mbi 232 mijë persona në Gjermani kishin detyrim ligjor për t’u larguar nga vendi, por deportimi i tyre ishte pezulluar për arsye të ndryshme, si mungesa e dokumenteve të udhëtimit, refuzimi i shteteve të origjinës për t’i pranuar ose pengesa të tjera juridike.
Pakti i ri synon gjithashtu të reduktojë migracionin e parregullt përmes një databaze të përbashkët për azilkërkuesit, regjistrimit në kufijtë e jashtëm të BE-së, procedurave të përshpejtuara të verifikimit, procedurave kufitare për rastet me mundësi të ulëta për azil, si dhe përmes kthimeve më të shpejta dhe më efektive.
“Qeveria gjermane duhet të vazhdojë ta mbështesë këtë kurs, pavarësisht kundërshtimeve që priten si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta politike. AfD-ja pritet të argumentojë se zgjidhjet evropiane nuk janë të mjaftueshme, ndërsa organizata të ndryshme joqeveritare dhe partitë e majta kanë paralajmëruar sfida ligjore ndaj disa prej masave të reja”, thuhet në artikull.
Gazeta thekson se një shtet ligjor duhet të jetë në gjendje jo vetëm të ofrojë mbrojtje për ata që e meritojnë, por edhe të zbatojë vendimet për personat që nuk kanë të drejtë qëndrimi. Në të kundërt, procedurat e gjata dhe zbatimi i vonuar i vendimeve rrezikojnë të dobësojnë efektin e sistemit.
Megjithatë, NZZ paralajmëron se zbatimi i reformës do të jetë një proces i vështirë. Të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të përshtatin legjislacionin dhe administratën e tyre me rregullat e reja, ndërsa autoritetet lokale në Gjermani kanë shprehur shqetësime për rritjen e barrës burokratike dhe mungesën e kapaciteteve administrative.
Suksesi i reformës do të ketë pasoja të rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për të ardhmen e politikës së përbashkët evropiane të azilit dhe lëvizjes së lirë brenda Bashkimit Evropian, thuhet në analizën e publikuar, ku gjithashtu theksohet se dështimi i kësaj përpjekjeje do të dëmtonte më tej besimin e qytetarëve tek institucionet shtetërore dhe projektin evropian. /Pamfleti/
Ja keta jane ripjellja socialiste dhe demokratike. Ja keta jane Saliu e Rama. Si ka mundësi qe nuk u kundershruan keta qener nga vete bashkoartuaket e tyre nga majat e ketyre partive. Po shenderrojne Shqiperine ne nje deponi te BEse duke pranuar njerz qe vet BE smind ti mbaj. E do ti mbaja Rama e Saliu ne Shqiperi?