TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Qershor 2026, 10:38

Arrestimi i Moisi Habilajt, policia jep detaje nga operacioni; kush është personi tjetër që ra në pranga 

Shkruar nga Pamfleti
Arrestimi i Moisi Habilajt, policia jep detaje nga operacioni; kush
Moisi Habilaj

Një ditë pas arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh, Policia e Shtetit ka bërë publike detaje të reja mbi operacionin që çoi në kapjen e tij. Autoritetet konfirmojnë se 48-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur.

Sipas njoftimit zyrtar, Habilaj u lokalizua në një lokal në zonën e Borshit gjatë operacionit të koduar “Metodat”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Gjatë operacionit, policia arrestoi në flagrancë edhe Eduard Ahmetin, 46 vjeç, banues në Sarandë. Ndërkohë, shtetasi italian S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Hetuesit dyshojnë se të dy kanë ndihmuar Habilajn gjatë qëndrimit të tij në zonë.

Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se Gjykata e Katanias e ka dënuar Habilajn me 12 vjet, 2 muaj dhe 13 ditë burg për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Ndaj tij është ekzekutuar gjithashtu masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata për Krimet e Rënda me vendimin nr. 192, datë 26 dhjetor 2018.

Sipas policisë, Habilaj akuzohet për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”.

Arrestimi i tij u bë publik mbrëmjen e së premtes, ku u gjet në një beach bar në Borsh, në pronësi të familjarëve të tij. Në momentin e arrestimit ai mbante kapele dhe kishte lënë mjekër, në përpjekje për të shmangur identifikimin.

"Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme", njofton policia.

arrestimi i moisi habilajt

Lini një Përgjigje