Carlo Ancelotti u shfaq i zhgënjyer pas ndeshjes së parë të Brazilit në Botëror, e mbyllur në barazim ndaj Marokut. Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, trajneri italian analizoi paraqitjen e ekipit të tij, duke pranuar se skuadra nuk arriti të shfaqte nivelin e pritur.
“Ishte një ndeshje e vështirë kundër një skuadre të shkëlqyer. Pjesa e parë nuk shkoi mirë, e dyta më mirë. Duhet të punojmë për t’u përmirësuar”, deklaroi Ancelotti.
Pak më vonë, pas një qëndrimi të shkurtër në dhomat e zhveshjes, tekniku brazilianëve foli sërish për mediat, këtë herë me një ton më të qetë. Ai theksoi se ekipi nuk arriti të zbatojë në pjesën e parë atë që kishte përgatitur gjatë ndeshjeve miqësore.
“Në pjesën e parë nuk bëmë atë që dimë të bëjmë dhe atë që kishim praktikuar mjaft mirë në miqësore. Por është gjithashtu e vërtetë që Maroku është një ekip i mrekullueshëm, ka shumë kohë që është konkurrues në këto nivele dhe ka të njëjtën strukturë si para katër vitesh”, u shpreh ai.
Ancelotti e lidhi nisjen e vështirë të takimit me ngarkesën emocionale që shoqëron një debutim në një kompeticion të tillë.
“Ankth, shqetësim. Presioni që kishim mbi supe. Është normale të ndodhë në një debutim. Për fat të mirë, kemi kohë për t’u përmirësuar. Nuk duhet të humbasim besimin. Nuk mund të prisnim të ishim perfektë që në ndeshjen e parë. Le të mjaftohemi me këtë rezultat, Kupa nuk fitohet që në ndeshjen e parë”, tha trajneri italian.
Brazili e nis kështu rrugëtimin në turne me një barazim, ndërsa stafi teknik pret reagim dhe përmirësim në ndeshjet e ardhshme.
Po c'tu desh more djale ta felliqesh vehten ne pleqeri.