Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot në Tivat se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. Ajo theksoi se i gjithë Ballkani Perëndimor ndodhet në zemër të historisë së Bashkimit Evropian.
“Vendi juaj është në zemër të Bashkimit Evropian dhe pikërisht për këtë arsye po takohemi për herë të dytë brenda gjashtë muajve të fundit. Sot po ndërmarrim hapa të mëdhenj drejt ndërtimit të një Bashkimi Evropian më të pavarur, më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të plotë. Ai nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor”, tha Von der Leyen.
Ajo shtoi se pikërisht për këtë arsye ky samit ka një rëndësi të veçantë.
“Gjatë ditës së sotme do të diskutojmë për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e sigurisë dhe gjeopolitikës. Do të shqyrtojmë mënyra për të afruar ekonomitë tona dhe qytetarët tanë përmes Planit të Rritjes, si dhe do të bisedojmë për ta bërë procesin e zgjerimit më të shpejtë, më të dukshëm dhe më strategjik”, deklaroi ajo.
Sipas saj, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Mal të Zi si vend mikpritës i samitit, ekziston një moment pozitiv. “Le ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe këtë lëvizje në anëtarësim”, tha Von der Leyen.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përgëzoi Malin e Zi për progresin e arritur në procesin e anëtarësimit. “Suksesi juaj është i rëndësishëm sepse tregon se zgjerimi po bëhet realitet dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim”, tha Costa në hapje të samitit.
Merz: BE-ja të tregojë se është e gatshme për zgjerim
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi në Tivat se Bashkimi Evropian duhet të tregojë qartë se është i gatshëm dhe i vendosur për zgjerimin. Ai tha se liderët evropianë do të diskutojnë për këtë çështje gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor. Sipas tij, procesi i zgjerimit ka mbetur pas për vite me radhë dhe ai ka biseduar me presidentin francez Emmanuel Macron për hapat e ardhshëm të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Kjo pjesë e Evropës është, në perspektivë, pjesë e Bashkimit Evropian. Nëse për 13 vjet nuk kemi pranuar asnjë vend të ri, mund të themi se edhe vetë BE-ja ka bërë disa gabime”, deklaroi Merz.
Ai shtoi se së bashku me Macron kanë paraqitur një propozim konkret për mënyrën se si duhet të vijojë procesi i zgjerimit, veçanërisht për disa vende të Ballkanit Perëndimor.
“Na pret ende një rrugë e gjatë, por këto objektiva janë të arritshme. Veçanërisht me Malin e Zi dëshirojmë të ecim shpejt përpara në këtë rrugë”, tha kancelari gjerman.
Von der Leyen: Mali i Zi është pranë anëtarësimit në BE
Para fillimit të samitit, Ursula von der Leyen deklaroi se Mali i Zi është afër realizimit të objektivit për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Ajo u tha gazetarëve se Mali i Zi po arrin rezultate të shkëlqyera dhe se Bashkimi Evropian po hap dyert e tij. Megjithatë, ajo theksoi se vendet kandidate duhet të përmbushin reformat e kërkuara. “Me reformat vijnë investimet dhe kjo është pjesa e parë e diskutimeve tona sot. Duhet t’i kuptojmë përfitimet e anëtarësimit, sepse ai sjell shumë avantazhe”, tha ajo.

Von der Leyen nënvizoi se procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe se çdo vend që plotëson kushtet do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. “Mali i Zi është mbresëlënës dhe po arrin rezultate të shkëlqyera. Vazhdoni në këtë rrugë dhe ne do të jemi këtu për t’ju mbështetur. Mendoj se jeni pranë qëllimit”, deklaroi ajo.
Kroacia vendos kushtet
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç deklaroi para samitit se Mali i Zi ka avancuar më shumë se çdo vend tjetër në negociatat me BE-në, por se Zagrebi ka pritshmëri lidhur me çështjet e hapura mes dy vendeve. Ai përsëriti se qëndrimi i Kroacisë është i qartë dhe se ekzistojnë kushte paraprake, përmbushja e të cilave do të mundësojë përparim të mëtejshëm në kapitullin 21 (Rrjetet Trans-Evropiane), kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe kapitullin 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria).
Kroacia i ka bllokuar Malit të Zi mbylljen e kapitullit 31 (Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes), duke kërkuar zgjidhjen e disa çështjeve të pazgjidhura. Plenkoviç tha se një nga temat kryesore është kompensimi i ish-të burgosurve kroatë në kampin e Morinjit. Një tjetër çështje është vazhdimi i kërkimeve për 14 persona të zhdukur gjatë Luftës për Pavarësinë e Kroacisë.

“Çështja e tretë është që Mali i Zi të vazhdojë ndjekjen penale të autorëve të krimeve të luftës. E katërta ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve pronësore të familjeve kroate që kanë mbetur pa pronat e tyre këtu. Ky proces po ecën mjaft ngadalë”, tha ai.
Ai shtoi se duhet të zgjidhen edhe çështja e pllakës përkujtimore në Morinj, emri i pishinës në Kotor, kthimi i anijes shkollore “Jadran” dhe fillimi i bisedimeve për përcaktimin e kufirit mes dy vendeve.
Macron: Synimi ynë të ndihmojmë Malin e Zi
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi para samitit se qëllimi i partnerëve evropianë është të ndihmojnë Malin e Zi në përmbushjen e detyrimeve dhe integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.
“Procesi i integrimit do t’i mundësojë Malit të Zi të përparojë edhe më shumë dhe të bëhet pjesë e familjes sonë evropiane”, tha Macron para gazetarëve.

Ai theksoi se partnerët evropianë mbështesin fuqimisht ambicien e Malit të Zi për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
“Në fakt, arsyeja pse jemi mbledhur këtu është zgjerimi i komunitetit evropian me një anëtar të ri, Malin e Zi”, deklaroi presidenti francez.
Macron shtoi se liderët evropianë ndodhen në Tivat për të mbështetur rezultatet që autoritetet malazeze kanë arritur deri tani në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje