Meta akuzoi SPAK-un për fshehje provash dhe politizim të procesit, ndërsa deklaroi se Monika Kryemadhi nuk ka përgjegjësi për çështjen CEZ-DIA.
Teksa ka tentuar të lajë duart si i pafajshëm, presidenti i PL Ilir Meta, ka lëshuar akuza të forta gjatë seancës së zhvilluar në GJKKO, duke e cilësuar procesin ndaj tij të politizuar dhe të manipuluar.
Në dëshminë e tij, Meta u ndal te arrestimi i 21 tetorit, të cilin e përshkroi si një “rrëmbim”, duke pretenduar se urdhri i SPAK iu komunikua disa orë pasi ishte ndaluar nga persona që, sipas tij, nuk ishin identifikuar.
Ish-presidenti akuzoi gjithashtu prokurorët për fshehje të dokumenteve të ardhura nga autoritetet amerikane në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA, duke pretenduar se një përgjigje sqaruese e mbërritur më vonë nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes.
Në fjalën e tij para trupit gjykues, kreu i Partisë së Lirisë u ndal edhe te ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, duke theksuar se ajo nuk duhet të mbajë përgjegjësi për çështjen CEZ-DIA.
“Unë jam këtu për të mbajtur përgjegjësi për çdo veprim timin individual. Znj. Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA”, deklaroi Meta.
Ai akuzoi gjithashtu prokurorinë për fshehje dëshmish dhe përpjekje për të ndikuar opinionin publik përmes, sipas tij, interpretimeve të njëanshme të provave.
Duke u ndalur te dokumentet e lobimit të regjistruara në SHBA nën logon e FARA (Foreign Agents Registration Act), Meta sqaroi se ato nuk përbëjnë prova penalizuese dhe se emri i tij nuk figuron në asnjë kontratë.
“FARA është thjesht një portal ku mijëra kompani publikojnë të dhëna për transparencë, por nuk është as gjykatë, as prokurori. Nuk ekziston në marrëveshjen me GSIS asnjë nënshkrim i Ilir Metës! Marrëveshja është mes LSI-së dhe GSIS. Ju zoti Kllapi e dinit që në fillim që janë paguar veç 15 mijë dollarë. Ju erdhi tjetër gjë në shtator e tjetër në nëntor, e mbajtët fshehur dhe më pyetët sërish në janar. Ka një tendencë të qartë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte, do e bësh politike!”- u shpreh Meta.
Meta në GJKKO: Mendoj se duhet të jemi të barabartë para ligjit. Jam shumë i revoltuar, të nderuar gjyqtarë, prokurorë, pjesëmarrës, se veç shumë gënjeshtrave të përsëritura në paraprake dëgjova një gjë shokuese.
Prokurori tha se pas hetimit me McKeon ka dalë, që është vetëm një faturë 15 mijë USD. Jam i revoltuar, se që kur jam pyetur për këtë çështje e kam bërë të qartë, se kam pasur veç një pagesë 15 mijë USD, me vendim kryesie, me bankë.
Në shtator kanë marrë letër-porosi për McKeon sikur janë bërë takime në SHBA dhe pagesa të jashtëligjshme. Unë jam rrëmbyer më 21 tetor në 12:08 minuta nga persona të panjohur. Në 14:06 m’u komunikua urdhri i prokurorëve të SPAK. Pasi unë arrestohem, në 15 nëntor ka ardhur përgjigje tjetër nga SHBA, saktësim.
Zotërinjtë jo vetëm nuk ma kanë bërë të ditur, por në janar më kanë pyetur prapë për McKeon Group. Pasi ju ka ardhur përgjigjja përfundimtare në nëntor, mua më pyesnin prapë në janar. FARA është një portal, ku mijëra kompani i publikojnë për transparencë, por nuk është as gjykatë, as prokurori. Nuk ekziston në marrëveshjen me GSIS nënshkrim i Ilir Metës. Marrëveshja është mes LSI dhe GSIS.
Ju, z. Kllapi, e dinit që në fillim që janë paguar veç 15 mijë USD. Ju ka ardhur tjetër gjë në shtator, tjetër në nëntor. E mbajtët fshehur, më pyetët në janar. Duhet të sqaroj se kreu i AKEP zgjidhet nga Kuvendi dhe kreu i KM. Kreu i KM ka qenë Rama. Nuk e propozojnë partitë politike. Ka tendencë për politizim të procesit. Kur s’ke fakte, do e bësh politike.
Prokuroria ka fshehur dëshminë e dhënë tek Ndini Tavani në 2011 të Hejsek, ku e bën të qartë që s’i kujtohej emri konkret. Edhe ajo me 200 mijë bëhet për manipulim të opinionit publik. As merret vesh për çfarë është. As ka ndonjë përgjigje. Unë jam këtu të mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin individual. Nuk jam as për të marrë e as për të dhënë. Unë mbaj përgjegjësi për të miat, znj. Kryemadhi nuk ka pse mban përgjegjësi për CEZ-DIA.
Lini një Përgjigje