Botërori 2026 mund të hyjë në histori për thyerjen e disa prej rekordeve më të famshme të Kupës së Botës. Nga 17 fitoret dhe 16 golat e legjendës gjermane Miroslav Klose, deri te 5 pjesëmarrjet në Botëror të meksikanëve Antonio Karbahal, Andres Guardado, Rafael Markez dhe gjermanit Lotar Mateus, shumë statistika historike janë në rrezik. Në qendër të vëmendjes janë sidomos Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo.
Gjashtë Botërorë për Mesin dhe Ronaldon
Mesi dhe Kristiano aktualisht ndajnë rekordin e 5 pjesëmarrjeve në Botëror me Karbahal, Guardado, Markez dhe Mateus. Me paraqitjen në Botërorin 2026, ata do të bëhen futbollistët e parë në histori me 6 Kupa Bote të luajtura. Edhe Guilermo Oçoa do të jetë në Botërorin e tij të gjashtë, por ai nuk luajti në edicionet 2006 dhe 2010.
17 fitoret e Klose, me Mesin në ndjekje
Klose ka regjistruar 17 fitore në 24 ndeshje të Botërorit. Mesi ka 16 dhe mjafton një fitore në turneun e ardhshëm për ta barazuar ose kaluar gjermanin.
16 golat e Klose nën kërcënimin e Mesit dhe Mbapesë
Me 16 gola, Klose është golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve. Mesi ka 13 gola, ndërsa Kiian Mbape ka 12. Të dy mund ta rrëzojnë këtë rekord.
Dy tregolëshat e Batistutës
Gabriel Batistuta është i vetmi futbollist që ka realizuar dy tregolësha në historinë e Botërorit. Rekordin synojnë ta thyejnë Mbape, Kristiano Ronaldo, Herri Kejn dhe Gonçalo Ramos.
Tri finale të Kafu
Kafu është lojtari i vetëm që ka luajtur në tri finale Botërori (1994, 1998 dhe 2002). Mesi dhe Mbape kanë nga dy finale secili dhe mund ta barazojnë ose ta kalojnë.
10 ndeshje pa pësuar gol të Shilton dhe Bartez
Peter Shilton dhe Fabien Bartez mbajnë rekordin me 10 ndeshje pa pësuar gol në fazat finale. Tibo Kurtua ka shtatë dhe mund t’i afrohet rekordit.
25 ndeshjet e Helmut Shën si trajner
Helmut Shën mban rekordin me 25 ndeshje të drejtuara në Botëror. Didier Deshamp ka 19 dhe mund ta kalojë nëse Franca arrin të paktën në gjysmëfinale.
Goli i Pepe në moshën 39-vjeçare
Pepe është golashënuesi më i moshuar në ndeshjet me eliminim direkt të Botërorit. Rekordi i tij rrezikohet nga Kristiano Ronaldo, Luka Modriç dhe Edin Xheko.
Rekordi i moshës së Rehagel
Oto Rehagel drejtoi Greqinë në Botërorin 2010 në moshën 71-vjeçare, rekord që pritet të thyhet nga Miroslav Kubek (74 vjeç) dhe më pas nga Dik Advokat, i cili do të jetë 78 vjeç.
11 ndeshje si zëvendësues të Denilson
Denilson mban rekordin me 11 ndeshje të nisura nga stoli në Botëror. Markus Rashford ka aktualisht nëntë dhe mund ta thyejë këtë rekord në Botërorin 2026.
Lini një Përgjigje