Xherdan Shaqiri ka mbyllur një sezon të suksesshëm në aspektin personal me skuadrën e Bazelit dhe tashmë po shijon periudhën e pushimeve verore.
34-vjeçari me origjinë nga Gjilani nuk ka më angazhime me Kombëtaren e Zvicrës, pasi prej kohësh ka bërë të ditur vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli ndërkombëtar.
Gjatë ditëve të fundit, Shaqiri ka zgjedhur bregdetin jugor të Shqipërisë si destinacion për pushimet e tij. Futbollisti ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi nga riviera shqiptare, ku shfaqet duke lundruar me një jaht të vogël.
Postimi është shoqëruar me flamurin shqiptar dhe simbolin e zemrës, një detaj që është interpretuar si vlerësim për bukuritë natyrore të bregdetit shqiptar.
Nga imazhi i publikuar, Shaqiri duket se po shijon atmosferën e qetë dhe peizazhet e jugut të vendit, një destinacion që vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e shumë figurave të njohura nga sporti dhe bota e spektaklit.

Lini një Përgjigje