TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Qershor 2026, 17:10

“Ndeshja na duhet jo vetëm për rezultatin”, trajneri i kombëtares për miqësoren me Luksemburgun: Duhet të rregullojmë disa detaje

Shkruar nga Pamfleti
“Ndeshja na duhet jo vetëm për rezultatin”, trajneri i
Rolando Maran

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, doli këtë të premte në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Luksemburgut, e cila do të luhet të shtunën në orën 20:00 në stadiumin “Air Albania”.

Tekniku kuqezi pranoi se periudha e shkurtër në krye të ekipit ka sjellë sfida në procesin e njohjes së grupit, por u shpreh i kënaqur me progresin e bërë deri tani.

Mendoj se janë bërë disa gjëra mirë dhe disa jo mirë. E prisja që, kur bën ndryshime, mund të vijnë edhe vështirësi. Janë rreth 20 ditë që jam trajner i kombëtares. E kisha të qartë se njohja e ekipit është ndryshe kur stërvit lojtarët, i dëgjon dhe komunikon me ta. I gjithë ky është një rrugëtim”, tha Maran.

Duke iu referuar kritikave për mungesën e goditjeve në portë, ai theksoi se skuadra ka krijuar raste të rrezikshme, por ka munguar saktësia në finalizim.

Kemi pasur 3-4 raste me rrezikshmëri të lartë para portës. Hoxha, Ramadani dhe Mehmeti kanë pasur mundësi, por ndoshta ka munguar precizioni. Duhet të ekuilibrohemi si skuadër dhe të përmirësojmë elementët taktikë të rëndësishëm për ndeshjen e radhës”, u shpreh ai.

Maran nënvizoi se një nga aspektet që kërkon më shumë punë është organizimi në momentet e presionit ndaj kundërshtarit.

Ka disa gjëra që duhet t’i përmirësojmë. Kur ushtrojmë presion, nuk duhet të lejojmë hapësira, sidomos në krahë. Besoj se ky përmirësim do të vijë shumë shpejt. Në 3-4 ditë kemi arritur të kuptohemi mirë dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët.”

Trajneri paralajmëroi se Luksemburgu nuk duhet nënvlerësuar dhe vuri në dukje rëndësinë e rezultateve në këtë periudhë.

Nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë. Duhet të zbresim në fushë me vëmendje të madhe. Ky rezultat ka rëndësi dhe këto dy ndeshje do të jenë shumë kyçe për përgatitjen tonë për sfidat e shtatorit.”

Sa i përket gjendjes së lojtarëve, Maran konfirmoi se Myrto Uzuni është i gatshëm për të luajtur, ndërsa Mehmeti vazhdon të ketë probleme për shkak të një gjendjeje gripale.

Duke folur për individët, trajneri tha se preferon të vlerësojë para së gjithash punën kolektive, por veçoi kontributin e Elseid Hysajt.

“Nuk më pëlqen të përmend emra, dua të vlerësoj punën e skuadrës. Megjithatë, Hysaj ka një numër rekord ndeshjesh dhe është një nga ata lojtarë që e ndihmojnë skuadrën të rritet. Të bësh kaq shumë paraqitje dhe të vazhdosh të japësh maksimumin është për t’u vlerësuar.”

Maran u ndal edhe te mesfushori Hasa, për të cilin mendon se mund të japë më shumë në role më qendrore në fushë.

Hasa do të jetë më tepër në brendësi të fushës, për të qenë më i lirë në lëvizje sesa si lojtar krahu. Ndoshta pozicioni i gjysmëmesfushorit do të ishte më i përshtatshmi për të, por duhet të punojmë pasi është hera e parë që grumbullohet me kombëtaren.”

Në përfundim, trajneri theksoi se ndeshja ndaj Luksemburgut do të shërbejë edhe si një test i rëndësishëm për të kuptuar më mirë potencialin e skuadrës në prag të angazhimeve të ardhshme.

Kemi nevojë për kohë dhe hapësirë për të kuptuar se si mund të zhvillohet më tej kombëtarja. Ky test do të më ndihmojë të kuptoj më mirë karakteristikat e lojtarëve. Liga e Kombeve është përpara dhe ajo është shumë e rëndësishme për ne.”

rolando maran trajneri i kombëtares miqësorja me luksemburgun

Lini një Përgjigje