TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Qershor 2026, 17:28

“I hodha një sy”, Putin flet për letrën e Zelenskyt: Nuk shoh ndonjë arsye për tu takuar me të

Shkruar nga Pamfleti
“I hodha një sy”, Putin flet për letrën e Zelenskyt:
Presidenti rus Vladimir Putin

Nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut, Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar për herë të parë publikisht ndaj letrës së hapur të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se nuk sheh asnjë qëllim konkret në një takim ballë për ballë me homologun e tij.

Në një deklaratë të bërë sot, Putin tha se letra e Zelensky-t i është treguar dje, por nuk pati mundësi ta lexonte në detaje.

Sot i hodha një sy dhe i kushtova vëmendje disa elementëve”, tha ai. Ai vuri në dukje se Zelensky ka folur për moshën e tij, duke theksuar se “mosha është e rëndësishme, por gjëja më e rëndësishme është që ai po e bën punën e tij siç duhet”.

Putin shprehu habi për qëndrimin e Ukrainës ndaj rolit të mundshëm të administratës së Donald Trump si garantuese e bisedimeve të paqes.

Nuk e kuptoj pse Ukraina nuk dëshiron që administrata e Donald Trump të veprojë si garantuese. I jam mirënjohës Donaldit, por ka ende punë për të bërë. Ishte gabim që Ukraina i bëri publike bisedimet”, tha ai.

Udhëheqësi rus iu referua Zelenskyt jo me emër, por si “autori i kësaj letre”. Ai përmendi gjithashtu se një biznesmen rus është takuar me Zelenskyn në Kiev, duke shtuar se ai vetë “kurrë nuk ka refuzuar të takohet”, por nuk sheh kuptim në një takim vetëm për hir të takimit.

Ajo që na duhen janë marrëveshje dhe rregullime, jo për gjashtë muaj apo një vit, por për një periudhë afatgjatë. Por së pari duhet të arrijmë në një zgjidhje dhe ky është thelbi i çështjes”, theksoi Putin.

Letra e hapur e Zelensky-t, e publikuar dje, përmbante kritika të ashpra ndaj Presidentit rus. Zelensky e akuzoi Putinin se është nën presion nga populli i tij për t’i dhënë fund luftës dhe propozoi një takim të drejtpërdrejtë midis dy udhëheqësve për të diskutuar paqen.

Deklarata e Putinit vjen në një moment kur tensionet diplomatike mbeten të larta, pavarësisht sinjaleve të herëpashme për mundësinë e negociatave. Kremlini ka insistuar se çdo marrëveshje duhet të adresojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit dhe të garantojë sigurinë afatgjatë të Rusisë, ndërsa Kievi kërkon tërheqje të plotë të forcave ruse dhe garanci ndërkombëtare sigurie.

putin zelensky

Lini një Përgjigje