Qeveria synon të përfshijë kriptomonedhat në kodin tatimor; 500 eurot e para të fitimeve do të përjashtohen nga tatimi...
Greqia po përgatit legjislacion për vendosjen e një takse prej 15% mbi fitimet kapitale nga kriptomonedhat, raportoi agjencia Reuters duke cituar dy zyrtarë qeveritarë që kanë dijeni për planin.
Sipas Reuters, Greqia aktualisht nuk ka një kuadër të plotë ligjor për tatimin e kriptomonedhave, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian nuk zbatojnë një sistem të unifikuar tatimor për këtë sektor.
“Qëllimi është që kriptomonedhat të përfshihen në kodin tatimor të vendit”, deklaroi një nga zyrtarët.
Normat e tatimit mbi fitimet nga kriptomonedhat në vendet evropiane variojnë nga 8% në Qipro deri në 30% në Francë dhe zakonisht zbatohen mbi fitimet kapitale.
Një zyrtar i dytë konfirmoi planin e qeverisë dhe sqaroi se 500 eurot e para të fitimeve do të jenë të përjashtuara nga tatimi.
Taksa nuk do të zbatohet për individët që merren me nxjerrjen (mining) e kriptomonedhave, por do të aplikohet kur aktiviteti kryhet nga subjekte të regjistruara si kompani.
Të dy zyrtarët theksuan se është e vështirë të vlerësohet madhësia e tregut të kriptomonedhave në Greqi, pasi shumica dërrmuese e investitorëve përdorin platforma jashtë vendit. Për momentin, qeveria nuk ka publikuar parashikime konkrete për të ardhurat buxhetore që mund të gjenerojë taksa e re.
Lini një Përgjigje