Kryeministri, njëherazi edhe kryetar i PS-së, Edi Rama, nuk ka nguruar të ashpërsojë tonet ndaj protestuesve, që prej 6 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij, ndërsa vala e protestave është shtrirë në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, por edhe në Berlin e Mynih (Gjermani).
Rama nga Vlora ku mori pjesë në 35-vjetorin e Partisë Socialiste i konsideroi protestuesit delirantë dhe sharlatanë, ndërsa ato e cilësojnë tradhëtar të interesave kombëtare. Teksa mbrojti projektin për Zvërnecin, Rama tha se një pjesë e atyre që sot e kundërshtojnë e kanë me babanë dhe vjehrrin e Ivanka Trump dhe Jared Kushner, që duan të investojnë në Shqipëri.
“Një pjesë e kanë me babanë dhe vjehrrin e atyre që duan të bëjnë investimin në Shqipëri. Kemi delirantët dhe sharlatanët dhe thonë që Shqipëria është e shqiptarëve. Thonë se këto resortet do sjellin të huajt, sepse duan t’i paguajnë për një copë bukë. Ndërkohë, që në hotelet e Vlorës dhe në bregdetin Jon, pagat janë njësoj ose më të larta se në Greqi.
Shqipëria në fakt është përdhunuar shumë përpara se ne të vijmë në pushtet. Ata bënë një çorape të madhe, sa paguajmë pasojat e atij çorapit.
Ato pisllëqe që kanë bërë këta me pronat, ne nuk i kemi bërë kurrë. Kur na thanë për investime në Sazan, ju kemi thënë se ishulli është tokë e pronë e popullit shqiptar. Ju kemi thënë se mund të investoni, çdo tullë që vendosni ju është e juaja, ama ishulli është i shqiptarëve. Vetëm një PIN ka kodi i së ardhmes së Shqipërisë: Partia Socialiste”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje