Rama tha se vendet nuk ngecin nga mungesa e parave, por nga mungesa e vizionit dhe e “ëndrrave të mëdha”, ndërsa kritikoi ashpër kundërshtarët e projekteve të tilla.
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur investimin e planifikuar në Zvërnec, duke e cilësuar atë një mundësi historike për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe duke argumentuar se projektet e mëdha janë ato që ndryshojnë fatin e një vendi.
Gjatë takimit me socialistët në Vlorë, në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se investimi prej 4 miliardë dollarësh do të sjellë përfitime që shtrihen përtej kufijve të zonës ku do të ndërtohet.
“Ky investim 4 miliardë dollarë në Zvërnec do të jetë bekim për ekonominë e gjithë Shqipërisë. Nuk do të sjellë vetëm para, por një vlerë të shumëfishuar në të gjithë komponentët e ekonomisë”, u shpreh ai.
Për të mbështetur argumentin e tij, kryeministri solli në vëmendje rastin e Tivatit në Mal të Zi, duke theksuar se investimet në turizmin elitar e kanë kthyer atë nga një qytet i vogël bregdetar në një destinacion ndërkombëtar me miliona vizitorë çdo vit.
Rama tha se vendet nuk ngecin nga mungesa e parave, por nga mungesa e vizionit dhe e “ëndrrave të mëdha”, ndërsa kritikoi ashpër kundërshtarët e projekteve të tilla.
“Popujt ngecin kur udhëhiqen nga sharlatanë dhe delirantë që thonë ‘ky vend është vetëm i juaji’. Kështu u thoshte edhe Hitleri gjermanëve. Kjo do të thotë t’i bësh thirrje nxitjeve më të zymta të racizmit dhe të vetëizolimit”, deklaroi Rama.
Rama tha se vendi nuk mund të ecë përpara duke u udhëhequr nga “deliret dhe sharlatanizmi”. Kryeministri kundërshtoi sloganin “Shqipëria e shqiptarëve”, duke theksuar se vendi ka nevojë për respekt.
Sipas tij, sektori i turizmit përballet me mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa pagat në hotelet dhe restorantet e bregdetit shqiptar janë të krahasueshme, madje në disa raste më të larta se ato në Greqi.
“Nuk kanë bërë prokopi kurrë në asnjë rast popujt që janë udhëhequr nga delire dhe sharlatanizma. Shqipëria ishte e shqiptarëve kur u bë bunker, kur mori detet dhe malet i reckosur. Shqiptarët për Shqipërinë, jo Shqipëria e shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve është si të thuash “shtëpia ime është vetëm e imja”. Nuk është kjo ajo që ka nevojë Shqipëria.
Shqipëria ka nevojë për respekt dhe për zërin e hoxhës, të priftit, për ngjyrën e kujtdo që Zoti ka vendosur ta sjellë në Vlorë. Kjo është Shqipëria.
Po kur thonë se do na vijnë indianët, malajzezët, do na marrin punën në hotele dhe restorante, a thua se këta që i thonë këto mbeten në dyert e hoteleve dhe restoranteve të kërkojnë punë.
Këto broçkulla ua thonë dhe atyre që janë turrur në Shqipëri të përcjellin gjithfarë lajmesh. Jo se një pjesë janë armiq apo konkurrentë, por një pjesë ka një hall tjetër, se nuk e kanë me Vlorën dhe flamingot, por e kanë me babanë dhe vjehrrin e atyre që duan të bëjnë investime në Shqipëri.
Luftën që kanë atje e ushqejmë ne me këta sharlatanët tanë që lidhin një flamur, shajnë me libër shtëpie dhe thonë “Shqipëria është e shqiptarëve”. Thonë se këto resorte do të sjellin të huaj sepse duan t’i paguajnë për një copë bukë, ndërkohë që në hotelet e Vlorës dhe restorantet pagat janë njësoj apo pak më të larta se në Greqi.
Në bregdetin tonë, nga Dhërmiu deri në Ksamil, pagat janë njësoj ose pak më të larta se në Greqi.
Ndërkohë që ata flasin për pronat, se po shitet Shqipëria. Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ju të më jepnit besimin të drejtoja. Është përdhunuar nga honxhobonxhot kur titujt e pronësisë i morën nga kutitë ku ruheshin. Shqiptarët e viteve 1991-1992 i morën dhe i bënë fije-fije letrat e pronës. E bënë aq të madh çorapin sa sot paguhen pasojat.
Ne nuk mund të themi se e ç’kollopsëm tërë atë çorap, por themi se kemi bërë shumë për të vënë rregull dhe të zeza si ato të zeza që dalin mbi ujë për pronat ne s’kemi bërë kurrë.
Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani.
Sazanin kanë dashur edhe të tjerë ta bëjnë destinacion turistik, por ne s’po bëjmë atë që bënë të tjerët, që e ofruan Sazanin për ta privatizuar.
Pavarësisht se ata që na erdhën janë shumë herë më të fuqishëm, u kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe se në Sazan janë të mirëpritur të investojnë.”-tha Rama.
Mjaft me shkaterrimin e Shqiperise. Largohu, duam vend te bukur me natyre te bukur jo me beton. Pune ka plot aq sa po marrim punetore nga filipinet