Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga nisja e Botërorit 2026, një nga çështjet më të ndërlikuara administrative dhe diplomatike jashtë fushës së lojës ka marrë zgjidhje.
Kombëtarja e Iranit, e cila rrezikonte seriozisht të mos merrte pjesë në ndeshjet e fazës së grupeve për shkak të problemeve me dokumentacionin e udhëtimit, ka marrë miratimin për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Delegacioni iranian ishte bllokuar prej ditësh në Ankara, ku lojtarët dhe stafi teknik kishin dorëzuar pasaportat në Ambasadën Amerikane menjëherë pas një ndeshjeje miqësore të zhvilluar në Antalia të Turqisë.
Situata u bë edhe më problematike për shkak të shortit të Botërorit. Edhe pse Irani kishte siguruar vizat dhe bazën stërvitore në Tijuana të Meksikës, të tre ndeshjet e Grupit G ndaj Zelandës së Re, Belgjikës dhe Egjiptit janë planifikuar të zhvillohen në territorin amerikan, konkretisht në Los Angeles dhe Seattle. Pa vizat amerikane, pjesëmarrja e skuadrës në turne vihej seriozisht në pikëpyetje.
Përballë rrezikut të një incidenti me përmasa ndërkombëtare dhe pas ndërhyrjes së strukturave të FIFA-s, çështja kaloi në nivelet më të larta politike. Shtëpia e Bardhë konfirmoi përmes një komunikate zyrtare se vizat për delegacionin iranian janë miratuar dhe lëshuar.
Vendimi i autoriteteve amerikane i ka dhënë fund pasigurisë që shoqëroi përgatitjet e ekipit. Kombëtarja iraniane pritet të udhëtojë këtë të shtunë drejt Meksikës, ku do të zhvillojë fazën e fundit të përgatitjeve para debutimit në Botërorin 2026, të planifikuar më 15 qershor.
Lini një Përgjigje