TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Qershor 2026, 22:38

Protestuesit bllokojnë trafikun në Tiranë, tubimi zhvendoset te “21 Dhjetori”

Shkruar nga Pamfleti
Protestuesit bllokojnë trafikun në Tiranë, tubimi zhvendoset te
Pamje nga "21 Dhjetorit"

Pas mbylljes së tubimit para Kryeministrisë, qindra protestues kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke e zhvendosur protestën në disa nga nyjet më të rëndësishme të kryeqytetit.

Aktualisht, protestuesit janë ndalur në zonën e “21 Dhjetorit”, ku janë ulur në mes të rrugës dhe kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve. Pamjet nga vendngjarja tregojnë dhjetëra qytetarë të ulur në asfalt, ndërsa të tjerë vijojnë të mbajnë pankarta dhe të artikulojnë thirrje kundër qeverisë.

Bllokimi ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në një nga akset më të ngarkuara të kryeqytetit, ndërsa në zonë ndodhen edhe forca policore që po monitorojnë situatën.

Protestuesit bllokojnë trafikun në Tiranë, tubimi zhvendoset te

Marshimi i protestuesve vjen pas më shumë se tre orë e gjysmë tubim para Kryeministrisë, ku për herë të parë organizatorët prezantuan një platformë me pesë kërkesa konkrete, me në krye dorëheqjen e qeverisë.

Ndryshe nga protestat e para, të fokusuara kryesisht te projekti në Zvërnec, tubimi i sotëm mori një karakter shumë më të gjerë politik. Gjatë gjithë protestës dominuan thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk munguan as sloganet kundër opozitës dhe klasës politike në tërësi.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa lëvizja duket se po kalon nga një protestë kundër një projekti të caktuar në një aksion më të gjerë politik dhe qytetar.

protesta

Lini një Përgjigje