Një aksident rrugor është regjistruar rreth mesditës në segmentin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Fratar, ku janë përfshirë pesë mjete, përfshirë edhe një kamper me turistë.
Nga përplasja kanë pësuar lëndime tre persona. Dy prej tyre janë shtetas gjermanë. Ekipet e emergjencës i transportuan të plagosurit në spital për trajtim mjekësor dhe, sipas informacioneve paraprake, gjendja e tyre nuk paraqet rrezik për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, në vend kanë ndërhyrë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor. Ata po kryejnë veprimet për të përcaktuar dinamikën e aksidentit, ndërsa po punojnë edhe për rikthimin e qarkullimit normal në këtë aks të ngarkuar, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Hetimet paraprake tregojnë se një nga shkaqet e mundshme të aksidentit mund të ketë qenë lëvizja me shpejtësi mbi kufijtë e lejuar.
Lini një Përgjigje