Një i dënuar me 25 vite burg është gjetur i pajetë pasditen e së enjtes në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila njofton se bëhet fjalë për shtetasin F.Q., 47 vjeç, i dënuar për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” me një vendim të formës së prerë të vitit 2007.
Sipas njoftimit zyrtar, i dënuari vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe ishte diagnostikuar me skizofreni. Ai ndiqej vazhdimisht nga shërbimet shëndetësore të sistemit penitenciar dhe trajtohej me mjekim të specializuar. Gjatë viteve 2022-2026 ai ishte shtruar disa herë në Spitalin e Burgjeve, ndërsa shtrimi i fundit ishte kryer më 28 maj 2026.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 16:50 ai është konstatuar i vetëvarur në ambientin e tualetit të dhomës ku ishte akomoduar, duke përdorur një mjet vetjak.
“Menjëherë pas konstatimit, personeli i sigurisë dhe ai shëndetësor kanë ndërhyrë pa vonesë, por nga verifikimet e kryera është konstatuar se vdekja kishte qenë e menjëhershme”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Burgjeve.
Autoritetet bëjnë me dije se rreth 30 minuta para ngjarjes, në orën 16:20, i dënuari ishte vizituar nga personeli shëndetësor, ndërsa gjatë kësaj kohe ishin kryer edhe kontrollet dhe monitorimet sipas procedurave të parashikuara.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllimet për familjarët e 47-vjeçarit dhe ka garantuar bashkëpunim të plotë me institucionet përgjegjëse për hetimin e rastit.
Lini një Përgjigje