Përmirësohet gjendja shëndetësore të efektivit të Policisë së Shtetit, Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë aksionit në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën kolegu i tij, Enea Mekolli.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se 36-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në nofull, e cila ka përfunduar me sukses. Pas operacionit, gjendja e tij është stabilizuar, ndërsa ai vijon të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Ndërkohë, edhe Violand Braçellari, i dyshuari për sulmin ndaj forcave të policisë, vijon të trajtohet në Spitalin e Traumës. Sipas burimeve spitalore, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Më herët, gjendja e Braçellarit u raportua e rëndë, ndërsa mjekët ishin të rezervuar për ecurinë e tij, pasi 36-vjeçari nuk kishte kaluar ende fazën kritike. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se gjendja e tij është përmirësuar dhe aktualisht konsiderohet e stabilizuar.
Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni policor për arrestimin e Braçellarit në zonën e Lozhanit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa Edison Adri u plagos rëndë.
Lini një Përgjigje