Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Violand Braçellarin, i dyshuar për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe plagosjen e efektivit Edison Adri.
Masa e sigurisë iu komunikua në ambientet e Spitalit të Traumës, ku Braçellari ndodhet i shtruar. Në seancë ishin të pranishëm prokurorja e çështjes dhe gjyqtari Gentian Sallahu.
Braçellari akuzohet për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 4 qershor, gjatë një operacioni policor të organizuar për kapjen e tij.
Sipas hetimeve paraprake, ai ndodhej i fshehur në stanin e tij dhe, sapo ka konstatuar praninë e efektivëve të policisë, dyshohet se ka hapur zjarr ndaj tyre me armë automatike kallashnikov.
Nga të shtënat humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur efektivi Edison Adri.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se një ditë përpara zhvillimit të operacionit, policia kishte siguruar informacione në rrugë operative se Braçellari kishte zbritur nga zona malore dhe kishte qëndruar për disa orë në fshatin Lozhan.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nga autoritetet.
VENDIMI
1. Vleftesimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim V.B, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit” ngelur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në formën e mbajtjes së armëve të zjarrit në ambiente publike dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” në formën e mbajtjes së armës së gjuetisë dhe municionit, parashikuar prej neneve 79/b, 79b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.
2. Caktimin ndaj personit nën hetim V.B, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.
U shpall nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës Tiranë, sot më datë 07.06.2026.
Lini një Përgjigje