TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Qershor 2026, 12:02

I përfshirë në vrasjen dhe zhdukjen e Klevis Lleshit, Sajmir Kolaveri mohon akuzat; gjykata e lë në burg

Shkruar nga Pamfleti
I përfshirë në vrasjen dhe zhdukjen e Klevis Lleshit, Sajmir
Sajmir Kolaveri dhe Klevis Lleshi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar më herët në mungesë për Sajmir Kolaverin.

Kolaveri u ekstradua një ditë më parë nga Italia, ku ishte lokalizuar pas shpalljes në kërkim në kuadër të hetimeve për vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Burrel.

Ai dyshohet për veprat penale “vrasje për gjakmarrje”, “fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kryerje të veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.

Sajmir Kolaveri është familjar i Aurel Hoxhës, i cili gjithashtu është shpallur në kërkim dhe dyshohet si porositësi i vrasjes së Klevis Lleshit.

Gjatë seancës gjyqësore, Kolaveri ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po hetohet. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë nga autoritetet.

vrasje klevis lleshi sajmir kolaveri

Lini një Përgjigje