Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ushtruar të drejtën e votës në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë.
Pas votimit, Haxhiu u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime dhe të kontribuojnë me pjesëmarrjen e tyre në forcimin e demokracisë në vend.
Ajo vlerësoi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është një tregues i rëndësishëm i funksionimit demokratik të Kosovës dhe i ftoi qytetarët që këtë ditë ta kalojnë me qetësi, respekt ndaj njëri-tjetrit dhe përgjegjësi qytetare.
Kosova po mban sot zgjedhjet parlamentare për përbërjen e re të Kuvendit, në një proces që zhvillohet pas një periudhe të gjatë bllokimi politik.
Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare të organizuara brenda 16 muajve, pas atyre të mbajtura më 9 shkurt dhe 28 dhjetor 2025.
Vendi iu rikthye procesit zgjedhor pas dështimit të forcave politike për të gjetur një marrëveshje mbi zgjedhjen e presidentit dhe zgjidhjen e ngërçit institucional që pasoi.
Lini një Përgjigje