Gjashtë shqiptarë kanë pranuar fajësinë para gjykatës në Britaninë e Madhe, pasi u kapën duke kultivuar kanabis në një njësi industriale të braktisur në Nottinghamshire.
Grupi u zbulua të dielën, pas një kontrolli të policisë në një pronë të zbrazët në Botany Avenue, Mansfield. Sipas Policisë së Nottinghamshire, brenda ambienteve u gjetën më shumë se 4,800 bimë kanabisi, në faza të ndryshme zhvillimi, me vlerë që dyshohet se arrinte në disa milionë paund.
Të akuzuarit janë: Ardit Gjonaj, 37 vjeç, banues në Crocketts Lane, Smethwick, West Midlands, si dhe Lanti Avapai, 45 vjeç, Elton Salihasi, 41 vjeç, Artu Ruqu, 44 vjeç, Eldis Beneri, 34 vjeç dhe Robert Ruko, 47 vjeç, të gjithë pa adresë fikse.
Mediat britanike raportojnë se ata pranuan akuzën për përfshirje në prodhimin e kanabisit. Përmes ndihmës së dy përkthyesve shqiptarë, gjashtë të pandehurit mohuan akuzën e dytë për posedim me qëllim shpërndarjen e drogës së klasit B, të cilën prokuroria e pranoi.
Dënimi i tyre ishte parashikuar të jepej më 2 qershor, por gjyqtari Nigel Godsmark KC e shtyu seancën për më 30 qershor, për shkak të ngarkesës me çështje të tjera. Deri atëherë, të gjashtë do të qëndrojnë në paraburgim.
Në një deklaratë të mëparshme, detektivja Millie Gillett tha se policia kishte dyshime se godina po përdorej për veprimtari të paligjshme, dyshime që, sipas saj, u konfirmuan menjëherë pas hyrjes në ambientet e saj.
Ajo e përshkroi fermën e kanabisit si “jashtëzakonisht të madhe” dhe me përmasa industriale, ndërsa theksoi se goditja e kriminalitetit të lidhur me drogën mbetet një nga prioritetet kryesore të policisë.
Lini një Përgjigje