Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim prezantues me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbështetja për modernizimin e policisë shqiptare.
Gjatë takimit, Hita u shpreh se objektivi i tij është ndërtimi i një Policie të Shtetit më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, e aftë të përballet me sfidat aktuale të sigurisë.
“Vizioni im është për një Polici të Shtetit gjithnjë e më të mirëshkolluar, më të trajnuar dhe më profesionale, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë së kohës”, deklaroi ai.
Kreu i Policisë së Shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë përmes programeve dhe projekteve që po zbatohen në Shqipëri. Ai veçoi Programin për Forcimin e Policimit në Komunitet, i cili parashikohet të vijojë deri në vitin 2029, si dhe kontributin suedez në Policinë Shkencore, Policinë Rrugore dhe Akademinë e Sigurisë.
Sipas Hitës, bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Suedisë ka dhënë rezultate konkrete në disa fusha kyçe, përfshirë luftën kundër terrorizmit, policimin në komunitet, mbrojtjen e të miturve, luftën ndaj dhunës me bazë gjinore, hetimin kriminal dhe shkëmbimin e informacionit.
“Partneriteti pa barriera dhe i ndërtuar mbi besim të ndërsjellë ka dhënë rezultate të larta në fusha si lufta kundër terrorizmit, policimi në komunitet, drejtësia për të miturit, lufta kundër dhunës me bazë gjinore, hetimi kriminal dhe shkëmbimi i informacionit”, u shpreh Hita.
Ndërsa ambasadori suedez Niklas Ström vlerësoi progresin e arritur deri më tani dhe rikonfirmoi angazhimin e Suedisë për të vijuar mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit në procesin e modernizimit dhe përafrimit me standardet europiane.
Në takim u diskutua gjithashtu për projektet që janë aktualisht në zbatim, të cilat synojnë përdorimin e teknologjive moderne në Policinë Rrugore, rritjen e kapaciteteve për hetimin e rasteve të dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore, forcimin e policimit të drejtuar nga inteligjenca dhe përmirësimin e hetimit në vendngjarje.
Lini një Përgjigje