TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Qershor 2026, 16:54

Trafik armësh drejt Anglisë, GJKKO dënon me 25 vite burg tre të akuzuarit; një tjetër shpallet i pafajshëm

Shkruar nga Pamfleti
Trafik armësh drejt Anglisë, GJKKO dënon me 25 vite burg tre
Admir Tutaj

Gjykata e Posaçme dënoi me rreth 25 vite burg në total tre të akuzuarit për trafik armësh drejt Anglisë, ndërsa njëri prej të pandehurve u shpall i pafajshëm për mungesë provash.

GJKKO ka dhënë vendimin për dosjen e trafikimit të armëve dhe municioneve drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku të pandehur ishin Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli.

Pas zhvillimit të procesit me procedurën e gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues i përbërë nga Bib Ndreca, Rudina Palloj dhe Atalanta Zeqiraj vendosi dënimin e tre të pandehurve dhe shpalljen të pafajshëm të njërit prej tyre.

Sipas vendimit, Adulla Hoxhaj u shpall fajtor për tentativë trafikimi armësh dhe municionesh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve. Pas bashkimit të dënimeve dhe përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 8 vite e 8 muaj burgim.

Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u shpallën fajtorë për trafikim armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Pas uljes së dënimit me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, të dy u dënuan me nga 8 vite burg secili.

Ndërkohë, Rifat Avdiaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat. Gjykata arsyetoi se nuk provohej që ai kishte kryer veprat penale për të cilat akuzohej, ndaj urdhëroi heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirimin e tij të menjëhershëm, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Sipas dosjes, të pandehurit akuzoheshin për: "Trafikim armësh dhe municionesh në tentativë"; "Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal"; "Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve".

Gjatë operacionit dhe kontrolleve të kryera në vitin 2024, autoritetet sekuestruan një arsenal të konsiderueshëm armësh, municionesh, pjesësh armësh, pajisjesh optike, silenciatorësh dhe sende të tjera ushtarake.

Konkretisht, gjatë kontrollit në banesën e Adulla Hoxhajt më 1 gusht të vitit 2024, hetuesit gjetën:

Të paktën 10 armë zjarri pistoleta funksionale;
Një armë gjysmëautomatike tip kallashnikov;
Dhjetëra pjesë armësh, tyta, gjilpëra, shula dhe mekanizma të ndryshëm;
Qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm;
50 fishekë sportivë;
10 pajisje optike (dylbi) për armë;
3 pajisje lazer;
2 silenciatorë;
Një pajisje elektroshok;
Pranga, veshje ushtarake, helmetë dhe pajisje të tjera.

Trafik armësh drejt Anglisë, GJKKO dënon me 25 vite burg tre
Armët e sekuestruara

Gjykata vendosi konfiskimin e të gjitha sendeve të sekuestruara, ndërsa një pjesë e pajisjeve elektronike dhe mjeteve të tjera do të qëndrojnë në funksion të procedimeve të ndara dhe hetimit pasuror.

Në kuadër të hetimit financiar, gjykata urdhëroi që të vazhdojnë të qëndrojnë nën verifikim:

Një Volkswagen;
Një Toyota RAV4;
Një Audi Q5;
Një Volvo;
Një motoçikletë Honda;
Dokumente të ndryshme automjetesh dhe leje lundrimi.

Megjithëse prokuroria e akuzonte si pjesë të grupit kriminal, gjykata vlerësoi se ndaj Rifat Avdiajt nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat për trafik armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur atë të pafajshëm.

Nga vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rezulton se, krahas dënimeve për trafik armësh, evidentohet edhe një arsenal i madh armësh, municionesh dhe pajisjesh të sekuestruara gjatë operacionit të vitit 2024.

Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.

arme trafik shqiperi angli denim

Lini një Përgjigje