Janë identifikuar dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht pasditen e kësaj të mërkurë në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Viktimat janë Leonid Alia nga Fushë Kosova dhe Jetmir Çopa nga Prishtina.
Sipas Policisë, alarmi u dha rreth orës 16:30, kur u raportua se disa persona që kishin hyrë në det për t’u larë ndodheshin në vështirësi dhe nuk po arrinin të dilnin në breg për shkak të motit të keq dhe dallgëve të krijuara nga era e fortë.
Në ndihmë të tyre u angazhuan menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare, efektivët e Policisë së Lezhës dhe ekipet e emergjencës.
"Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje