Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Mario Përlleshajn, duke konfirmuar dënimin e tij me 16 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e një të mituri tjetër.
Më 9 dhjetor 2025, Gjykata e Tiranës e shpalli Përlleshajn fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit, si dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, ndaj një të mituri tjetër që mbeti i plagosur gjatë ngjarjes.
Për vrasjen e Martin Canit, Gjykata caktoi dënimin me 12 vite burg, ndërsa për tentativën e vrasjes ndaj të miturit tjetër vendosi 10 vite burg. Me bashkimin e dënimeve, Mario Përlleshaj u dënua përfundimisht me 16 vite burg.
Si u vra Martin Cani?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, tre ditë pasi mes dy adoleshentëve kishte nisur një konflikt brenda shkollës "Fan Noli" në Tiranë, për motive të konsideruara banale. Edhe pse fillimisht u duk se përplasja ishte mbyllur, tensionet u rikthyen sërish.
Paraditen e 18 nëntorit, dy të miturit u përballën në ambientet e tualeteve të shkollës, ku debatuan edhe një herë, por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas përfundimit të mësimit, ata u takuan pranë shkollës së bashku me shokët e tyre, ku konflikti degradoi në një përleshje fizike. Gjatë sherrit, Martin Cani humbi jetën, një tjetër 14-vjeçar mbeti i plagosur, ndërsa autori u vetëplagos me të njëjtën thikë.
Pas ngjarjes, autori fshehu çantën së bashku me thikën në një godinë të vjetër. Ajo u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza kriminalistike konfirmoi se me të njëjtën thikë ishin goditur si viktima, ashtu edhe i mituri i plagosur.
Pas arrestimit të autorit, rrethanat e ngjarjes u shoqëruan me debat publik. Babai i 14-vjeçarit të plagosur akuzoi Policinë e Shtetit se po fshihte të vërtetën, duke pretenduar se në konflikt ishin përdorur dy thika dhe se djali i tij ishte goditur me të dyja.
Për shkak të këtyre pretendimeve, Policia reagoi disa herë publikisht, duke sqaruar se, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë dhe provat e administruara, në ngjarje ishte përdorur vetëm një thikë. Sipas policisë, personi i dytë i përmendur në pretendime nuk kishte pasur rol aktiv në goditje dhe nuk kishte përdorur armë të ftohtë.
Ngjarja mori edhe përmasa politike, pasi pas vrasjes u organizuan protesta të shumta me kërkesa për rritjen e sigurisë në shkolla dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit.
Lini një Përgjigje