TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Shkurt 2026, 18:52

Ngjason me Melonin pas restaurimit, zbulohet imazhi origjinal i afreskut në San Lorenzo in Lucina

Shkruar nga Pamfleti
Ngjason me Melonin pas restaurimit, zbulohet imazhi origjinal i afreskut në
Majtas versioni origjinal; djathtas pas restaurimit

Është publikuar sot imazhi origjinal i afreskut në bazilikën romane San Lorenzo in Lucina, duke riaktivizuar debatin që prej ditësh ka përfshirë artin, politikën dhe institucionet fetare në Itali. Krahasimi mes fotografisë së vjetër dhe versionit pas restaurimit tregon një ndryshim të dukshëm të tipareve të figurës së engjëllit, i cili, sipas kritikëve, pas ndërhyrjes duket se i ngjan kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Imazhi origjinal është rilançuar në rrjetet sociale nga arkitekti Cino Zucchi, i cili sqaroi se fotografia ishte marrë nga profili “Roma Aeterna” në Instagram. Postimi i tij, me ton ironik, ndezi polemika të forta, pasi sugjeronte se restaurimi kishte transformuar një figurë të artit sakral në një portret me referenca politike. Vetë Zucchi ka deklaruar se bëhej fjalë për “një lojë ironike”, por reagimet nuk munguan.

Pas publikimit të imazhit origjinal, Sovrintendenza ka nisur verifikime për të kuptuar se cili ka qenë realisht aspekti i afreskut para restaurimit dhe nëse ndërhyrja ka respektuar kriteret shkencore të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Prej ditësh po kërkohet dokumentacion arkivor për të vërtetuar nëse fotografia e shpërndarë korrespondon plotësisht me gjendjen e mëparshme të veprës.

Ndërkohë, restauratori Bruno Valentinetti, i cili ka kryer ndërhyrjen në afresk pas dëmtimeve nga lagështia, ka mbuluar fytyrën që ka shkaktuar polemika, duke deklaruar se veprimi është bërë “me kërkesë të Vatikanit”. Valentinetti ka këmbëngulur se gjatë restaurimit është kufizuar vetëm në “rileximin e asaj që ekzistonte më parë”, duke mohuar çdo qëllim simbolik apo politik.

Çështja ka sjellë reagime të forta edhe nga Vicariati i Romës. Kardinali Baldo Reina është distancuar nga deklaratat ironike të famullitarit të bazilikës, mons. Micheletti, dhe ka paralajmëruar verifikime për të përcaktuar përgjegjësitë. Në deklaratën zyrtare theksohet se arti i shenjtë nuk mund të përdoret apo instrumentalizohet për qëllime të papërshtatshme dhe se duhet të mbetet në shërbim të jetës liturgjike dhe shpirtërore.

meloni afresk

Lini një Përgjigje