Vrasja e Saif al-Islam Gheddafi-t mbyll një epokë të gjatë në historinë e Libisë
Lajmi për vrasjen e Saif al-Islam Gheddafi erdhi në mënyrë të papritur, por hollë-hollë jo dhe aq, duke pasur parasysh realitetin e një Libie ende thellësisht të paqëndrueshme dhe të ekspozuar ndaj përmbysjeve të shpeshta të ekuilibrave të brendshëm.
Në një kontekst të tillë, mbajtja e mbiemrit Gheddafi nuk ka qenë kurrë garanci sigurie, veçanërisht për djalin e ish-udhëheqësit Muammar Gheddafi, i cili u vra në vitin 2011 pas 42 vitesh në pushtet dhe që për një periudhë e kishte konsideruar Saifin si trashëgimtarin e tij politik.
Një trashëgimi që vetë Saif al-Islam është përpjekur ta mbajë gjallë ndër vite, të paktën deri dje, kur katër persona të armatosur hynë në banesën e tij në Zintan dhe e ekzekutuan pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi. Me vdekjen e tij, sipas analistëve, mbyllet përfundimisht epoka e gheddafizmit dhe bashkë me të edhe mbi gjysmë shekulli histori politike e Libisë dhe e gjithë rajonit të Lindjes së Mesme.
Mister mbi autorët dhe motivet
Ende është e paqartë se kush qëndron konkretisht pas atentatit dhe kush i ka urdhëruar autorët e vrasjes. I vetmi element i sigurt është vendi ku ndodhi ngjarja: Zintani, rreth 200 kilometra në jug të Tripolit, një zonë ku shkretëtira ndërthuret me malet dhe ku veprojnë disa nga milicitë më të fuqishme të Libisë perëndimore.
Këto grupe të armatosura ishin ndër të parat që u ngritën kundër regjimit të Gheddafit në vitin 2011 dhe pikërisht ato e kapën Saif al-Islamin teksa tentonte të largohej drejt Nigerit pas rrëzimit të babait të tij. Që prej asaj kohe, Zintani u kthye në një lloj fortese për të: fillimisht si i burgosur dhe më pas, pas vendimit për lirimin e tij në vitin 2017 dhe moszbatimit të dënimit me vdekje të dhënë në vitin 2015, si një “i ftuar i privilegjuar”.
Fakti që atentatorët arritën ta vrasin pikërisht në këtë zonë tregon se disa ekuilibra janë thyer. Mund të bëhet fjalë për zhvillime në arenën ndërkombëtare, por edhe për tensione të brendshme lokale. Studiuesja Michela Mercuri ka vënë në dukje përputhjen kohore mes vrasjes dhe publikimit të dokumenteve të reja që lidhen me çështjen Epstein, ku përmendet edhe emri i Saif Gheddafit në lidhje me interesat për fondet miliardëshe libiane ende të ngrira në SHBA dhe Europë.
Nga ana tjetër, analisti Jalel Harchaoui thekson se prej kohësh prania e Saifit në Zintan shihej me pakënaqësi nga disa grupe lokale, të cilat e konsideronin atë një barrë dhe një rrezik për stabilitetin e zonës.
Fundi i një simboli politik
Nuk përjashtohet as pista e frikës nga një rikthim i mundshëm i Saif al-Islamit në skenën politike libiane. Megjithatë, edhe kjo hipotezë ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje, sidomos përsa i përket momentit të atentatit, pasi ambiciet e tij politike nuk ishin të reja.
Sipas analistëve, figura e Saif Gheddafit kishte më shumë peshë simbolike sesa reale politike. “Ai shërbente si një referencë evocative, e përdorur në disa zona të vendit për të shprehur pakënaqësi, protestë apo nostalgji për të kaluarën, por pa u shndërruar kurrë në një projekt të organizuar apo në një lidership real,” shprehet Alessandro Scipione i Agenzia Nova.
Në këtë kuptim, vrasja e Saif al-Islam Gheddafit përfaqëson më shumë fundin e një ideje politike sesa të një force konkrete. Pasojat e saj pritet të jenë më të dukshme në librat e historisë sesa në zhvillimet e përditshme politike, pasi me eliminimin e figurës së fundit aktive të familjes Gheddafi në politikë, mbyllet përfundimisht një epokë që ka zgjatur mbi 50 vjet. /Përshtatur nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje