Një video e panjohur më parë, që dyshohet se është regjistruar fshehurazi nga Jeffrey Epstein gjatë kohës që ndodhej në paraburgim, është bërë publike së fundmi në kuadër të dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara.
Si edhe në rastet e mëparshme, autoritetet amerikane e kanë publikuar materialin pa asnjë kontekst shpjegues, duke mos sqaruar rrethanat e regjistrimit, kohën apo mënyrën se si videoja është realizuar dhe ruajtur. Megjithatë, bazuar në pamjet, ambientin dhe veshjen e Epstein, dyshohet se mesazhi video i ishte drejtuar dy grave ende të paidentifikuara dhe se është regjistruar në mënyrë të fshehtë brenda ambienteve të paraburgimit.
Në pamjet e publikuara, Epstein shfaqet duke folur drejtpërdrejt në kamera, ndërsa bën referenca personale që sugjerojnë një komunikim privat. Ai përmend gjithashtu një tentativë për puthje, të cilën e përshkruan si “të neveritshme”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi personin apo rrethanat e ngjarjes.
Jeffrey Epstein u arrestua në vitin 2019 për akuza të rënda për trafikim seksual të të miturve dhe vdiq në paraburgim, në rrethana që zyrtarisht u cilësuan si vetëvrasje, por që vazhdojnë të jenë objekt debatesh dhe dyshimesh. Çdo dokument i ri i publikuar në lidhje me çështjen Epstein vijon të tërheqë vëmendje të madhe publike dhe mediatike në SHBA dhe më gjerë.
Lini një Përgjigje