TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Shkurt 2026, 16:59

Shkeli ligjin për të favorizuar projektin e Jared Kushner, ministri serb përballet me drejtësinë

Shkruar nga Pamfleti
Shkeli ligjin për të favorizuar projektin e Jared Kushner, ministri
Ministri Nikola Selakovic përpara Gjykatës Speciale në Beograd

Në Beograd ka nisur të mërkurën procesi gjyqësor ndaj ministrit të Kulturës së Serbisë, Nikola Selakoviç, dhe tre zyrtarëve të tjerë, të akuzuar se kanë hequr në mënyrë të paligjshme statusin e trashëgimisë kulturore të ish-shtabit të Ushtrisë Jugosllave, godinë simbolike e bombarduar nga NATO në vitin 1999.

Përveç Selakoviçit, në bankën e të akuzuarve ndodhen edhe sekretarja e Ministrisë së Kulturës, Slavica Jellaca, drejtori i përkohshëm i Institutit Shtetëror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiç, si dhe drejtori i përkohshëm i Institutit të Monumenteve të Kulturës së Qytetit të Beogradit, Aleksandar Ivanoviç. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas akuzës, heqja e statusit të mbrojtjes kulturore ishte një hap i domosdoshëm për të lejuar shembjen e kompleksit dhe hapjen e rrugës për një projekt të ri investimi. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se projekti lidhej me një zhvillim të tipit kompleks luksoz, i asociuar me fondin investues “Affinity Partners”, në pronësi të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Sipas “Wall Street Journal”, Kushner është tërhequr nga projekti pas ngritjes së akuzave dhe protestave publike kundër tij.

Prokurori i çështjes, Vojislav Isailoviç, deklaroi në seancë se të pandehurit kanë shkaktuar dëm ndaj trashëgimisë kulturore të Republikës së Serbisë dhe njoftoi se prokuroria do të thërrasë rreth dhjetë dëshmitarë për të mbështetur akuzën.

Nga ana tjetër, mbrojtja e ministrit Selakoviç i hodhi poshtë të gjitha pretendimet, duke i cilësuar akuzat si të motivuara politikisht nga Prokuroria për Krim të Organizuar. Avokati mbrojtës argumentoi se heqja e statusit të mbrojtjes nuk i ka shkaktuar asnjë dëm Serbisë, duke e përshkruar ish-shtabin ushtarak si “rrënojë”.

Të gjithë të pandehurit akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Selakoviç, Jellaca dhe Vasiç përballen edhe me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Ivanoviç akuzohet për ndihmë në falsifikim.

Mbrojtja ka theksuar gjithashtu se, sipas tyre, nuk ekziston vepër penale, pasi në nëntor të vitit 2025 Parlamenti i Serbisë miratoi një “lex specialis” për të përshpejtuar rizhvillimin e ish-shtabit të Ushtrisë Jugosllave, ligj që shfuqizoi vendimin e vitit 2005 për statusin e trashëgimisë kulturore.

 

nikola selakoviç serbi kushner

Lini një Përgjigje