
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se ushtria ruse do të vijojë operacionet ushtarake në Ukrainë deri në momentin kur autoritetet në Kiev të marrin “vendime” që mund të çojnë drejt përfundimit të konfliktit.
Ai tha gjithashtu se pozicioni i Moskës mbetet i pandryshuar dhe se është i njohur si për palën ukrainase në negociata, ashtu edhe për përfaqësuesit amerikanë.
Këto deklarata u bënë në të njëjtën ditë kur në Abu Dhabi ka nisur një raund i ri bisedimesh për paqe mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, me synimin për t’i dhënë fund luftës.
Sipas Kremlinit, Kievi vijon të refuzojë kërkesën e Moskës për dorëzimin e pjesës së rajonit të Donbasit që mbetet ende nën kontrollin e forcave ukrainase, territor të cilin trupat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë gjatë gati katër viteve të luftës.
India dhe nafta
Duke komentuar planet e Indisë për diversifikimin e burimeve të furnizimit me naftë, Peskov u shpreh se nuk sheh ndonjë zhvillim të ri, duke theksuar se Nju Delhi historikisht ka blerë naftë nga disa shtete, përfshirë edhe Rusinë.
Më herët gjatë ditës, ministri indian i Naftës, Piyush Goyal, deklaroi se India synon të diversifikojë burimet energjetike në kushtet e paqëndrueshmërisë globale, me qëllim garantimin e sigurisë energjetike për qytetarët e saj.
Kjo deklaratë pasoi njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje tregtare mes SHBA-së dhe Indisë. Trump pretendoi se Nju Delhi ka rënë dakord të ndalojë blerjen e naftës ruse, një pretendim që nuk është konfirmuar publikisht nga autoritetet indiane.
I pyetur lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Kremlinit theksoi se Rusia nuk është furnizuesi i vetëm i Indisë me naftë dhe produkte të naftës.
“Jo vetëm ne, por edhe të gjithë ekspertët e energjisë në nivel ndërkombëtar e dinë se Rusia nuk është furnizuesi i vetëm i Indisë me naftë dhe produkte të naftës. India gjithmonë i ka blerë këto produkte nga vende të ndryshme, ndaj nuk shohim ndonjë risi këtu”, u shpreh Peskov.
Kontakte Rusi–Francë në nivel të ulët
Ndërkohë, Kremlini bëri të ditur se po zhvillohen kontakte në nivel të ulët mes Rusisë dhe Francës, por sqaroi se aktualisht nuk ka asgjë për të njoftuar sa i përket një takimi të mundshëm mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Një ditë më parë, Macron deklaroi se dëshiron të rifillojë kontaktet me Putinin për çështjen e luftës në Ukrainë, megjithëse vlerësoi se Moska nuk duket ende e gatshme për një armëpushim, ndërsa bisedimet po vazhdojnë në nivel teknik.
Lini një Përgjigje