TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Shkurt 2026, 14:54

Gazeta gjermane: Vuçiç i përulet kërcënimit të Trump, shpenzoi të gjitha meritat që i dha BE

Shkruar nga Pamfleti

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2012 dhe, si shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor, ka një rol kyç në rajon.

Gazeta gjermane: Vuçiç i përulet kërcënimit të
Foto Ilustrim Trump dhe Vuçiç

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka publikuar një analizë me titull “Trump ekspozon iluzionin e pushtetit të Vuçiçit”, thotë se shitja e detyruar e kompanisë energjetike NIS përbën një humbje serioze politike për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Analiza thekson se ndryshe nga perceptimi i përhapur se presidenti amerikan Donald Trump shpesh tërhiqet pas kërcënimeve të forta, ka raste kur presioni i tij rezulton vendimtar.

Sipas tij, kjo u pa qartë në rastin e Serbisë, e cila u detyrua të dorëzohet pa pasur nevojë për ndonjë ndërhyrje ushtarake apo presion të drejtpërdrejtë diplomatik.

Sipas FAZ, mjaftoi që Uashingtoni të mos pezullonte sanksionet ndaj kompanisë më të madhe të energjisë në Serbi, NIS, për ta vënë Beogradin përballë një krize serioze. Me rrezikun e një mungese karburanti dhe një krize energjetike që do të prekte drejtpërdrejt qytetarët, Vuçiç u detyrua të pranojë kërkesat amerikane. Pjesëmarrja shumicë ruse në NIS ishte prej kohësh problem për SHBA-në, në kuadër të përpjekjeve të saj për të kufizuar eksportet ruse të naftës dhe gazit, përfshirë sanksionet ndaj Gazpromit dhe shitjen e detyruar të aseteve të Lukoil-it.

Ndërhyrja amerikane, sipas autorit, ka ndryshuar ndjeshëm balancën e fuqisë në Ballkanin Perëndimor, duke dobësuar ndikimin e Moskës në rajon.

Në këtë riorganizim të tregut energjetik, fituesi kryesor del të jetë kryeministri hungarez Viktor Orbán. Kompania energjetike MOL, e cila vepron nën ndikimin e tij, pritet të marrë shumicën e aksioneve të NIS, me kusht që marrëveshja të miratohet nga pala amerikane. FAZ shkruan se për momentin gjithçka tregon se kjo do të ndodhë.

MOL vazhdon të furnizohet me gaz dhe naftë të lirë nga Rusia dhe, me përfshirjen e NIS në portofolin e saj, do të dominonte tregun e naftës në Ballkanin Perëndimor. Reagimi i tregjeve ka qenë i menjëhershëm: pas përhapjes së thashethemeve për blerjen, aksionet e MOL u rritën me rreth 30 për qind.

Orban si fitues

Gazeta kujton se Orbán, i njohur për qëndrimet e tij “joliberale”, mban marrëdhënie të mira si me Donald Trumpin ashtu edhe me Vladimir Putinin dhe kundërshton përpjekjet e Bashkimit Evropian për të dobësuar Rusinë. Kjo afërsi me Moskën ka shkaktuar pakënaqësi brenda BE-së, duke bërë që vende si Spanja dhe Rumania të bllokojnë investime hungareze në sektorët strategjikë të energjisë dhe transportit.

Megjithatë, hyrja në NIS përfaqëson një sukses të madh politik dhe ekonomik për Orbánin. Sipas analizës, përmes kësaj marrëveshjeje Rusia mbetet në lojë si furnizuese e energjisë, ndërsa Hungaria planifikon të sfidojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë përpjekjet e BE-së për ndalimin e importeve të energjisë nga Rusia.

FAZ vëren se zgjedhjet në Hungari do të mbahen përpara se gjykata të marrë një vendim dhe se rezultati i tyre do të varet edhe nga çështja se sa gjatë vendet e Evropës Qendrore do të vazhdojnë të financojnë ekonominë ruse përmes importeve të naftës dhe gazit.

Në pjesën përmbyllëse, analiza ndalet te pozicioni gjithnjë e më i dobët i Aleksandar Vuçiçit. Autori e quan ironike faktin që mbështetja e tij te Orbáni e afron Serbinë me Bashkimin Evropian, pasi MOL i nënshtrohet rregullave të BE-së. Sipas FAZ, një vendim i vetëm nga Uashingtoni e ktheu Vuçiçin “në realitet”, duke i kujtuar se ai drejton një vend të vogël, me rritje të ngadaltë ekonomike, institucione të brishta dhe një popullsi gjithnjë e më kundërshtuese, çka e ka detyruar të premtojë zgjedhje të parakohshme.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2012 dhe, si shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor, ka një rol kyç në rajon. Sipas gazetës gjermane, Brukseli duhet ta ruajë perspektivën evropiane të Serbisë, por duke u mbështetur te politikanë që e marrin seriozisht këtë rrugë. Me Aleksandar Vuçiçin, përfundon analiza, kjo duket gjithnjë e më pak e mundur, pasi ai ka humbur jo vetëm besimin e një pjese të madhe të qytetarëve të tij, por edhe kredibilitetin që Bashkimi Evropian i ka dhënë ndër vite.

vuçiç u përul kërcënimit të trump

Lini një Përgjigje