
Një incident i përgjakshëm në Libanin jugor ka rikthyer tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e armëpushimit të arritur së fundmi.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit raportoi se dy persona humbën jetën të martën gjatë një sulmi në zonën e Nabatieh. Pas ngjarjes, Hezbollahu akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, duke pretenduar se viktimat ishin pjesë e një grupi civilësh që po pastronin rrugët dhe po nxirrnin trupa nga rrënojat.
“Rezistenca Islamike paralajmëron se ajo që ka kryer armiku përbën një shkelje të hapur të armëpushimit”, deklaroi Hezbollahu në reagimin e tij zyrtar.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite hodhi poshtë akuzat, duke bërë të ditur se objektiv i operacionit ishin persona të armatosur që, sipas saj, përbënin një kërcënim të menjëhershëm për trupat izraelite të dislokuara në zonën e sigurisë në Libanin jugor.
Në një deklaratë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) theksuan se do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër çdo kërcënimi që cenon sigurinë e ushtarëve dhe qytetarëve izraelitë.
Ngjarja vjen në një moment delikat për rajonin, teksa marrëveshja e armëpushimit synon t'i japë fund muajve të tensioneve dhe përplasjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut. Megjithatë, incidentet e fundit tregojnë se situata në terren mbetet e brishtë dhe rreziku i përshkallëzimit ende nuk është larguar.
Lini një Përgjigje