TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia14 Maj 2026, 10:46

SPAK në gjunjë para trafikantit Isa Aliu: pse prokurorja nuk firmos sekuestron e resortit 160 milionë euro

Shkruar nga Pamfleti

 Dosja 'Aliu Road House' qëndron e bllokuar në SPAK...

SPAK në gjunjë para trafikantit Isa Aliu: pse prokurorja nuk firmos

Prej dy vitesh BKH ka dorëzuar provat se Isa Aliu, me kapital fillestar 1000 euro, ndërtoi resort luksoz në Lalëz, vila në Sarandë, Jalë e pallate në Tiranë; gjithsej rreth 500 milionë euro investime të pastrimit parash nga droga e korrupsionit. Ndërkohë që në tetor 2024, vetëm 1 muaj pas dosjes në SPAK, ai krijoi një kompani të re, 'Sea View Development'. Pyetja mbetet: kush po e mbron dhe pse?

Prej dy vitesh, Byroja Kombëtare e Hetimit ka përfunduar dhe dorëzuar në SPAK hetimin e aktivitetit kriminal të shtetasit Isa Aliu, për pjesëmarrje në grup të strukturuar trafikimi droge dhe pastrim të parave në ndërtime resortesh në bregdet, pallate e komplekse vilash.

Objekt i pikënisjes së hetimit ishte resorti "Aliu Road House" në Lalëz, për të cilin Byroja Kombëtare e Hetimit ka provuar se Isa Aliu e ka ndërtuar me financime që burojnë nga aktiviteti i drogës dhe korrupsioni i zyrtarëve të shtetit e politikës.

Në rastin e resortit "Aliu Road House" në Lalëz, vërtetohen të dhënat e raporteve të SHBA-së dhe Agjencive Gjurmuese të BE-së, se krerë të politikës janë bashkuar duke pastruar para në investime të mëdha turistike e urbane, duke përdorur si maskë kompani si "Aliu Road House".

Ky informacion, se zbulimi i bashkimit financiar krim-kupolë, është arsyeja që në SPAK është bllokuar dosja e resortit "Porto Lalzi" i ndërtuar nga kompania "Aliu Road House" e Isa Aliut, që thuhet se menaxhon paratë e grupeve më të fuqishme kriminale të Elbasanit.

Kush e ka bllokuar në SPAK dosjen "Aliu Road House" të Isa Aliut, dhe pse prokurorja e çështjes, nën presion apo…, nuk po firmos për sekuestrimin ekonomiko-financiar?

Në dosjen e përfunduar të BKH-së dhe të dorëzuar në SPAK, janë provat që Isa Aliu, është edhe subjekt i dosjeve SKY ECC dhe raporteve të SHISH, Antikrimit dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe rezulton se me kompaninë që ka 1000 euro kapital fillestar, po ndërton resortin luksoz në Lalëz me port jahtesh, vila në Sarandë, Jalë, pallate në Tiranë, Durrës e Vlorë.

Konkluzioni i grupit hetimor të BKH-së është ky: Përveç se Isa Aliu është përfshirë vetë në veprimtari kriminale, investimet totale ndërtimore me vlerë rreth 500 milionë euro deri në momentin e mbylljes së hetimit, kompania e tij "Aliu Road House" është kamuflim i një rrjeti të fuqishëm që grumbullon dhe pastron paratë e krimit e korrupsionit.

Prova është konkrete: Nga viti 2008 kur u krijua kjo kompani, Isa Aliu deklaronte 1000 euro kapital, ndërsa më 31 mars 2022, në momentin kur BKH kishte filluar hetimin, ai deklaroi rritjen e kapitalit në vlerën 1.6 milionë euro, si tentativë për të fshehur gjurmët e pastrimit të parave.

Por vetëm resortin "Porto Lalzi", ekspertët ekonomiko-financiarë të BKH-së e kanë përllogaritur investimin me vlerë rreth 160 milionë euro, të cilat ndërtuesi Isa Aliu nuk i ka të pasqyruara në bilancet kontabël të kompanisë "Aliu Road House".

Për të fshehur gjurmët e pastrimit të parave të grupit të drogës ku bën pjesë, të grupeve të tjera dhe të njerëzve të pushtetshëm, Isa Aliu, në tetor 2024, bëri një lëvizje tjetër, duke krijuar kompaninë "Sea View Development", vetëm 1 muaj pasi BKH kishte dorëzuar dosjen në SPAK.

Hetimet kanë gjetur gjurmë, indice e prova për disa nga personat që qëndrojnë pas rrjetit të pastrimit të parave që kryen Isa Aliu.

Mes tyre janë ata që e kanë futur kompaninë e tij "Aliu Road House" edhe në procesin e rindërtimit të pallateve në Durrës, Shijak dhe të pallateve sociale nga Enti i Banesave, por disponojmë edhe shumë prova të tjera, që do t'i publikojmë në vijim.

Pyetja që po i bëjmë drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Braho, është kjo:

· Pse nuk sekuestrohet resorti dhe pasuritë e paligjshme që maskohen në emrin e Isa Aliut?/Pamfleti

 

isa aliu spak aliu road house

Lini një Përgjigje