TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia12 Maj 2026, 22:23

Zbulohet takimi/ Në Hungari flasin për faliment, Rama përgatit qokën e radhës për Gellért Jászai-n e “One Albania”

Shkruar nga Pamfleti
Zbulohet takimi/ Në Hungari flasin për faliment, Rama përgatit
Rama me Gellért Jászai

Edi Rama zhvilloi në Tiranë një takim të fshehtë me oligarkun hungarez Gellért Jászai, pronarin e grupit 4iG dhe aksionerin kryesor të “One Albania”, në momentin kur në Hungari po rritet presioni politik dhe mediatik ndaj kompanive të lidhura me Viktor Orbanin.

Kryeministri Edi Rama është vënë në lëvizje për të shpëtuar miqtë e Viktor Orbanit.

Ndërsa në Hungari po rritet presioni politik ndaj rrjetit ekonomik të ndërtuar gjatë viteve të pushtetit të Orbanit, kryeministri i ri, Peter Magyar ka paralajmëruar hetime dhe prerje të financimeve për kompanitë që kanë përfituar nga lidhjet me shtetin.

Një ndër emrat më të ekspozuar është Gellért Jászai, aksioneri kryesor i kompanisë 4iG, që në Shqipëri zotëron “One Albania”.

Magyar ka paralajmëruar anulimin e kontratave shtetërore të përfituara nga 4iG dhe vendosjen e kompanisë nën hetim. Disa media hungareze shkruajnë se heqja e mbështetjes politike dhe financiare mund ta çojë kompaninë drejt krizës, për shkak të nivelit të lartë të borxhit të krijuar nga ekspansioni agresiv.

Brenda tetë viteve, 4iG kaloi nga një kompani me vlerë rreth 20 milionë dollarë në një grup që sot vlerësohet mbi 3.5 miliardë dollarë.

Por në këtë moment duket se ka hyrë në lojë Edi Rama. Kryeministri shqiptar ka pritur në një takim Gellért Jászai-n, takim që nuk u bë publik nga qeveria shqiptare. Detajet dolën fillimisht në mediat hungareze dhe më pas u konfirmuan nga vetë biznesmeni hungarez.

Sipas njoftimit të publikuar nga 4iG, takimi është fokusuar te zgjerimi i mëtejshëm i pranisë së kompanisë në Shqipëri përmes “One Albania” dhe projekteve të reja në infrastrukturën dixhitale. Në praktikë, kjo tregon se ndërsa në Hungari flitet për hetime dhe rrezik falimentimi, në Tiranë po negociohet zgjerimi i biznesit të grupit hungarez.

Një nga temat kryesore të diskutimit ka qenë projekti EAGLE, kablli nëndetar që synon të lidhë Egjiptin me Shqipërinë dhe më pas me Europën. Projekti parashikon krijimin e një korridori të madh transmetimi të të dhënave mes Afrikës së Veriut, Lindjes së Mesme, Ballkanit Perëndimor dhe tregut europian.

Në deklaratën e tij, vetë Jászai e cilësoi projektin si një “urë dixhitale kritike” për rajonin, duke theksuar se Shqipëria shihet si pikë strategjike për kalimin e infrastrukturës së të dhënave në Mesdhe.

"Diskutimet tona mbuluan gjithashtu projektin e kabllit nënujor EAGLE të planifikuar midis Egjiptit dhe Shqipërisë, një iniciativë strategjikisht e rëndësishme për lidhjen e të dhënave në Mesdhe. Projekti është hartuar për të krijuar një urë dixhitale kritike midis Afrikës së Veriut, Lindjes së Mesme, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, ndërkohë që mbështet gjithashtu zhvillimin e një rrjeti optik të gjeneratës së ardhshme në Ballkan", tha Jászai. 

Por pjesa më e rëndësishme e takimit duket se lidhet me një tjetër sektor shumë më fitimprurës: Data Center-at. Sipas biznesmenit hungarez, me Edi Ramën është diskutuar mundësia e investimeve në qendra të mëdha të përpunimit dhe ruajtjes së të dhënave në Shqipëri.

Ky është sot një nga bizneset me rritjen më të shpejtë në botë pas shpërthimit të inteligjencës artificiale, cloud computing dhe kërkesës së kompanive globale për kapacitete serverash dhe ruajtje të dhënash.

Ne shqyrtuam mundësitë e ardhshme në lidhje me investimet në qendrat e të dhënave në Shqipëri, të cilat formojnë një shtyllë të rëndësishme të strategjisë sonë rajonale të infrastrukturës dixhitale”, deklaroi Jászai.

Në thelb, Rama nuk po i garanton grupit hungarez vetëm tregun shqiptar të telekomunikacionit përmes “One Albania”, por po i hap rrugë hyrjes në një sektor strategjik që lidhet me kontrollin e infrastrukturës dixhitale në rajon.

Takimi merr rëndësi edhe për faktin se u mbajt në heshtje nga qeveria shqiptare, ndërsa u publikua vetëm nga pala hungareze. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur në Hungari po flitet hapur për auditim të kompanive të lidhura me Viktor Orbanin dhe për shembjen e modelit financiar që mbajti në këmbë perandorinë ekonomike të njerëzve të tij më të afërt. /Pamfleti

 

gellért jászai one albania rama

Lini një Përgjigje