Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve urdhëron Kryekomisionerin Ilirjan Celibashi që të marrë një vendim lidhur me vazhdimin ose jo të mandatit për Kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Ky i fundit bazuar në ligjin për dekriminalizimin humbet mandatin si kryebashkiak, pasi nuk ka deklaruar një dënim në formularin e dekriminalizimit. Por duket se çështja është kthyer në një top, që hidhet nga një instancë në tjetrën pa marrë një vendim.
KAS ka urdhëruar sot Kryekomisionerin Celibashi që të marrë vendimin, ndërsa nuk dihet nëse ai do të shprehet lidhur me vijimin ose jo të mandatit të kryebashkiakut Kreshnik Hajdari. Ky i fundit vijon të drejtojë Bashkinë e Kuçovës, ndërsa nga zhvillimet duket se po përdoret çdo mekanizëm që Hajdari të përmbyllë mandatin e plotë që përfundon të 2027-ën.
Rreth 3 javë më parë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, nuk ka preferuar të shpallë një vendim lidhur me kërkesën për shkarkimin e Kreshnik Hajdarit si kryebashkiak i Kuçovës. Celibashi ka deklaruar se ndodhet në konflikt interesi, ndaj tërhiqej nga vendimmarrja.
Rasti i Kryebashkiakut të Kuçovës ka zbuluar qëndrimin me dy standarde të Ilirjan Celibashit, i cili në rolin e tij si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve, legjitimoi pjesëmarrjen në garë të Kreshnik Hajdarit, edhe pse pati në dispozicion dokumentacionin që tashmë konfirmohet edhe nga SPAK e GJKKO. Në 2023-in, kohë kur diskutohej si kandidatët e regjistruar për zgjedhjet vendore, Celibashi nuk i përcolli Prokurorisë së Përgjithshme formularin e dekriminalizimit të Kreshnik Hajdarit, duke shmangur kështu një skualifikim nga gara të tij.
Por në kohën kur SPAK nisi hetimet, i njëjti vendosi që t’I përcjellës Prokurorisë Speciale dosjen, ndërsa për shkak të procedurave të ndjekura, Hajdari arriti jo vetëm të marrë mandatin, por edhe të qeverisë Kuçovën si Kryebashkiak për të paktën dy vite. Duket se kjo situatë ka bërë që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve sot të tërhiqet pa një vendim, duke deklaruar se është në konflikt interesi dhe duke shtyrë ende pa një rrugëzgjidhje, fatin politik të Kreshnik Hajdarit.
Në fillim të muajit maj, përmes një shkrese zyrtare, SPAK i konfirmon KQZ-së, dënimin e Kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Shkresa me firmën e Klodian Brahos, kreut të SPAK-ut, i drejtohet Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ku i bën të ditur se vendimi ndaj Kryebashkiakut Hajdari ka marrë formë të prerë, madje është nxjerrë edhe urdhri për ekzekutimin e dënimit.
Shkresa e Brahos ndaj Celibashit është një kthim përgjigje që SPAK i ka bërë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, lidhur me të kaluarën penale të Hajdarit.
Në dokumentin zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaron se procedimi penal ndaj Kreshnik Hajdarit është regjistruar me numrin 80, më datë 3 maj 2023, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal. Sipas SPAK, pas përfundimit të hetimeve paraprake, çështja është dërguar për gjykim më 18 dhjetor 2023. Më pas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.06 të datës 25 janar 2024, e ka deklaruar fajtor Hajdarin për kryerjen e veprës penale.
Në vendimin e saj, gjykata ka caktuar fillimisht një dënim me 9 muaj burgim. Por, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ulje të dënimit në rast të procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i është ulur një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burg.
Në një tjetër dokument të firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, konfirmohet se më datë 1 shkurt 2024 SPAK ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal nr.06 të Gjykatës së Posaçme.
Po sipas dokumentit, vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024, çka nënkupton përfundimin e procesit gjyqësor dhe hyrjen në fuqi të dënimit.
Në to nuk jepen detaje të tjera mbi rrethanat konkrete të çështjes apo aktivitetin që çoi në procedimin penal ndaj Hajdarit.
Korrespondenca mes SPAK dhe KQZ-së vjen në kuadër të verifikimeve institucionale që kryhen për subjekte të ndryshme, bazuar në legjislacionin për dekriminalizimin dhe kontrollin e figurës së personave që ushtrojnë ose synojnë funksione publike. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje